Për Serbinë, interes jetik është formimi i Asociacionit të komunave serbe

Zëvendëskryeministri i Qeverisë serbe dhe njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq ka vlerësuar se është lajm i mirë që dialogu ndërmjet Beogradit e Prishtinës do të nisë në fillim të shkurtit dhe se BE nuk do ta kërkojë pavarësinë e Kosovës, por vetëm përparimin në dialog në kuptimin e normalizimit të marrëdhënieve.

Lajme

01/01/2015 16:30

“Kryeministri Aleksandar Vuçiq më ka njoftuar se vazhdimi i dialogut është caktuar për datën 9 shkurt. Ky është lajm i mirë marrë parasysh se kemi pasur pauzë në kontakte në nivelin më të lartë për shkak të problemeve me krijimin Qeverisë së Kosovës. Për ne është interes jetik dhe ky është thelbi i marrëveshjes së Brukselit, formimi i Asociacionit të komunave serbe” (AKS), ka thënë Daçiq për REL, transmeton Koha.net

Në pyetjen se me cilin ligj është i mundshëm formimi i Asociacionit të komunave, Daçiq është përgjigjur se “në Marrëveshjen e Brukselit shkruan se rregullativa për gjithë këtë do të hartohet në autoritetin e Prishtinës. Nuk do të hartohet në Beograd”.

Sipas fjalëve të tij, AKS do të formohet në kuadër të kornizës juridike të Kosovës.

“Kjo asnjëherë nuk ka qenë kontestuese, për këtë shkak se ne edhe atëherë kemi thënë se nuk insistojmë në ekzistimin e institucioneve të Serbisë, por konsiderojmë se disa organe të pushtetit të komunave serbe duhet të formohen në Kosovë”, ka thënë ai.

“Nga kjo tani po bëhet mistifikim. Sidomos po bëhet mistifikim se aty janë ligjet ekzistuese që janë të pandryshueshme. Kurrë nuk është folur për këtë. Do të bisedohet edhe për tema tjera, jo vetëm për Asociacionin… Aty janë edhe çështja e pronës, e Kishës Ortodokse Serbe, përkatësisht transparenca e financave dhe ndihmave që vijnë nga Serbia”, ka thënë Daçiq.

Daçiq ka thënë se e kupton shqetësimin e presidentit Nikoliq lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës.