Për një transformim digjital të administratës publike
Shkruan Agron HOTI
Opinion
Në përgjigje të plakjes së popullsisë dhe rënies drastike të lindjeve si goditëse direkte të sistemeve sociale jo vetëm në Evropë por edhe më gjerë, pastaj në përgjigje të rritjes së paparë të konkurrencës ekonomike globale si dhe efekteve negative të krizës financiare globale të vitit 2008 që solli recesionin më të madh ekonomik në glob që prej Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Evropian (BE) në vitin 2010 kishte hartuar “Rend-ditën Digjitale për Evropën” si njëra ndër top prioritetet e saj për të rritur potencialin ekonomik e social për një të ardhme evropiane sa më prosperuese dhe sa më të qëndrueshme.
Duke pasur pajtueshmëri të pakontestueshme gjithandej BE-së për ta zbatuar “Rend-ditën Digjitale për Evropën”qe arritur te përfundimi se duhej investuar sa më shumë dhe sa më shpejtë në Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (TIK) si nxitësin kryesor të transformimit digjital të sistemeve dhe shoqërisë, përmes të cilit do të promovohej inovacioni, rritja ekonomike, përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe lehtësimi i veprimtarive biznesore gjithandej BE-së dhe pse jo tërë Evropës.
Edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor (përfshirë Kosovën) që nga viti 2018është futur zyrtarisht në “Rend-ditën Digjitale për Evropën”, përmes së cilës BE parasheh projekte të shumta për rajonin dhe Kosovën në zhvillimin dhe avancimin e infrastrukturës digjitale. Kosova – duke qenë se është në fazat fillestare të shtetndërtimit të saj, për dallim prej sektorit privat, i cili përmes zhvillimit të sektorit të TIK-ut që mbi10 vite gjeneron mes 8-11% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) – ka një sektor publik, i cili është në fazat krejtësisht fillestare të zhvillimit sa i përket TIK-ut. Pra, për dallim prej vendeve të BE-së që janë duke e zëvendësuar letrën jo vetëm në administratë publike, por edhe në atë private me shërbime digjitale të shpejta dhe efektive, në Kosovë ende dominon letra në pothuaj shumicën e institucioneve si në nivel qendror ashtu dhe në atë lokal, përfshirë sektorin privat.
Si duket drejtuesit e institucioneve të Kosovës dhe partive politike ende nuk kanë arritur ta kuptojnë rëndësinë e madhe që ka Rend-dita Digjitale për të ardhmen e vendit, ndërkohë që sektori privat është një hap përpara në këtë drejtim. Është e rëndësishme të përmendet fakti që të gjitha kabineteve qeveritare dhe komunale në Kosovë deri me sot u kanë munguar resurset e nevojshme profesionale për TIK. E si të mos u mungonin resurset e TIK-ut, kur partitë politike as që kanë programe e vizion për thjeshtësimin e procedurave administrative dhe digjitalizimin e shërbimeve të administratës publike, edhe pse gojën e kanë plot me premtime elektorale për gjoja lehtësimin e jetesës së qytetarëve në të gjitha dimensionet zhvillimore të mundshme.
Sigurisht që Kosova – si shteti më i ri në Evropë – është dashur patjetër që së pari të bënte shtetin, pastaj të themelonte dhe funksionalizonte të gjitha institucionet dhe procedurat e nevojshme shtetërore për të mundofruar të gjitha shërbimet e nevojshme qytetarëve të saj. Bile aq shumë procedura ka zhvilluar Kosova – siç kanë bërë të gjitha shtetet në moshën e saj – sa sot ka nevojë imediate për thjeshtësimin e tyre. Por, tash e tutje, ashtu sikurse të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së që janë duke thjeshtuar dhe digjitalizuar sa më shumë shërbime, edhe Kosova duhet të projektojë të ardhme digjitale për t’ua bërë sa më të lehtë jetën qytetarëve, punën e veprimtarive biznesore dhe shoqërisë në përgjithësi.
E krahas thjeshtësimit të procedurave të shumta administrative, duhet investuar dhe në digjitalizimin e administratës publike, sepse transformimi digjital para se gjithash kursen në masë të madhe shpenzime të shumta publike, ul koston e qytetarëve për të kryer shërbime dhe inkurajon zhvillimin e sektorit privat si ekonomi e tregut të lirë, siç tashmë edhe në Kosovë jemi. Sipas Observatory on Electronic Invoicing and Dematerialization of the Politecnico of Milan School of Management parashihet që “Italia përmes digjitalizimit mund të kursejë 200 miliardë EUR brenda vitit” apo thënë ndryshe afërsisht ¼ e buxhetit vjetor të Italisë mund të kursehet nga digjitalizimi. Pra, brenda 10 viteve Italia mund të kursejë mbi 2 trilionë EUR, shumë kjo jashtëzakonisht e madhe për t’u investuar në sektorin privat, pra kryesisht nëpër sektorët më kritikë për të gjeneruar zhvillim dhe rritje ekonomike në një Itali me borxhin publik ndër më të lartin në Evropë.
Nëse buxheti vjetor i Kosovës është mes 2.5 deri 3 miliardë EURO dhe nëse ¼ e buxhetit vjetor (afërisht 700 milionë EUR) do të kursehej nga investimet në digjitalizim krahas thjeshtëzimit të procedurave administrative, atëherë në rastin më ideal të mundshëm brenda 10 viteve kursime nga “digjitalizimi dhe thjeshtëzimi” Kosova do të mund të investonte mbi 7 miliardë EUR në sektorin privat, kryesisht nëpër ata sektorë kritikë duke gjeneruar kështu rritje prodhimi, zvogëlim papunësisë, ulje deficiti tregtar me vende të rajonit dhe BE-së dhe rritje të përgjithshme të mirëqenies ekonomike e sociale për qytetarët e saj. Sigurisht që nga e thënë në të bërë është një det i tërë, por sa më herët që i hyjmë kësaj pune aq më mirë për ne.
Ky fakt dëshmon më së miri nevojën e “revolucionit digjital” si forca kryesore lëvizëse e transformimit shoqëror në shekullin 21 e që prek të gjitha fushat sociale, ekonomike dhe mjedisore. E rëndësia e transformimit digjital rritet edhe më shumë kur parashihet që në vitin 2050 rreth 2/3 e popullsisë së botës do të jetojë në zona urbane, prandaj është më se e nevojshme që të sigurohen shërbime të integruara të konektivitetit, infrastrukturës së mençur dhe reduktimit të ndikimit në mjedis në këto zona urbane, një pjesë e madhe e të cilave pritet të jenë të mbipopulluara në dekadat që vijnë.
Prandaj, Kosova, duhet që sa më shpejtë të lëviz në drejtim të thjeshtëzimit të procedurave të shumta administrative si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, duhet të investojë në digjitalizim të tërësishëm të administratës publike për ta zënë hapin me zhvillimet rajonale, evropiane dhe globale në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK). E kushti kryesor për të filluar me transformim digjital është pastrimi, konsolidimi, qartësimi, precizimi dhe përafrimi i legjislacionit të Kosovës me praktikat më të mira dhe standardet e BE-së. E për tërë këtë kërkohet para se gjithash vullnet e vizion politik për t’u hapur kështu rrugë dhe mbështetje të fuqishme politike profesionistëve të TIK-ut nëpër kabinetet e secilës qeveri në ardhje.