Për ndërtimin e xhamisë në Dubravë, vetëm një votë ishte kundër
Nga referendumi i parë në Kosovë, i mbajtur në Dubravë të Suharekës, për ndërtimin e xhamisë në një parcelë tokësore, rezultati ka dalë për ndërtimin e asaj xhamie.

Lajme
Nga 267 banorë që kanë votuar, vetëm njëri ka votuar kundër, kurse 266 të tjerë kanë votuar për ndërtim, transmeton TherandaPost.
Banorët e fshatit Dubravë të Suharekës, sot kanë votuar pro ose kundër ndërtimit të xhamisë së fshatit në lokacionin ku ka kërkuar BI (Bashkësia Islame), e të cilën gjë e kanë kundërshtuar disa nga banorët.
Referendumi të cilin me vendimin e kryetarit të Komunës Sali Asllanaj e ka organizuar Komuna e Suharekës, ka filluar nga ora 7,00 e mëngjesit dhe ka zgjatur deri në orën 19,00, kur janë mbyllur kutitë e votimin në Qendrën e votimit në ShFMU ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Sipas njoftimit të komunës së Suharekës, gjithçka në këtë referendum ka shkuar në rregull.
Pas këtij rezultati xhamia e fshatit do të ndërtohet në parcelën 399-2 në Zonën Kadastrale të fshatit Dubravë.