Për katër ditë, KQZ-ja numëroi votat vetëm në 9 komuna për kandidatë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e votave nga gjithsej 38 komuna vetëm në 9 prej tyre, që nga e marta deri në të premten. Nga gjithsej 38 komuna, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka arritur të numërojë votat vetëm në 9 komuna deri tani për kandidatët për deputetë, proces që ka nisur të…
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2025/02/numerimi-1.jpg)
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e votave nga gjithsej 38 komuna vetëm në 9 prej tyre, që nga e marta deri në të premten.
Nga gjithsej 38 komuna, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka arritur të numërojë votat vetëm në 9 komuna deri tani për kandidatët për deputetë, proces që ka nisur të martën, ndërsa në 29 të tjera është njoftuar se numërimi është duke vazhduar.
Monitoruesit e këtij procesi kanë shprehur shqetësim lidhur me kohën që po merr numërimi i votave.
Vetëm për numërimin e një kutie, koha që kërkohet për një tavolinë është 8 orë. Po ashtu, vetëm për një ditë, në 18 qendrat komunale të numërimit, janë arritur të numërohen vetëm 114 vendvotime.
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arianit Elshani, ka kërkuar të enjten që të nisë publikimi i rezultateve për kandidatë për deputetë.
“Unë insistoj dhe kërkoj që kjo të bëhet duke filluar që nga sot pra KQZ të fillojë publikimin e rezultateve të kandidatëve. Nuk ka kohë më për të humbur, sa më shumë që vonohet publikimi i rezultateve të kandidatëve aq më e madhe është pakënaqësia, aq më i madh është presioni, aq më të alarmuar janë të gjithë sepse krijohet pabesi në raport me institucionin”, tha Elshani.
Po ashtu, procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare u zhvillua me probleme tejet të vogla, por vështirësitë filluan gjatë numërimit të votave nga KQZ-ja.
Të dielën në mbrëmje, publikimi i rezultateve preliminare u shoqërua me probleme teknike dhe rënie të sistemit, duke e bërë të pamundur procesimin e votave të numëruara.
Edhe pse kanë kaluar pesë ditë, rezultati preliminar i zgjedhjeve ende nuk dihet, dhe nuk ka të dhëna as për votat e kandidatëve për deputetë.
Kryesuesi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se i kanë disa dyshime për problemet me sistemin e KQZ-së, por që ato i kanë përcjellur tek institucionet.
Ai në mbledhjen e KQZ-së ka thënë se “kjo çështje tash është në duar të policisë dhe prokurorisë”.
“Pa e marrë raportin nga ta ne nuk mund të japim informacione se nuk i kemi. I kemi disa dyshime tona por ato i janë përcjellë institucioneve”, ka deklaruar Radoniqi të enjten.
Sipas tij, procesi i numërimit të votave për kandidatë mund të zgjasë 10 deri në dy javë.
Në vazhdim, procesi i numërimit të votave ka vijuar në ditët pas zgjedhjeve, fillimisht në Prishtinë, Lipjan, Obiliq e Partesh më 11 shkurt, dhe më pas në qytetet e tjera, përfshirë Deçanin, Gjakovën, Drenasin, Gjilanin e shumë të tjera.
Pavarësisht lëshimeve procedurale, vonesave dhe problemeve teknike me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) sa i përket numërimit të votave të partive politike dhe kandidatëve për deputetë, ekspertët e fushës besojnë se ende nuk është krijuar hapësira e nevojshme për ndonjë subjekt që të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve.
Kjo, përkundër vështirësive që kanë shoqëruar procesin, është një tregues i rëndësishëm për suksesin e Kosovës në kalimin e një cikli të rëndësishëm demokratik më 9 shkurt.
Numërimi ka përfshirë gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime, ku deri tani janë procesuar 2 mijë e 526 prej tyre, duke arritur një përqindje të lartë të procesimit prej 99.72 për qind.
Pavarësisht përfundimit të numërimit në shumicën e qyteteve, ende shtatë vendvotime mbeten për t’u procesuar, ndërsa të dhënat e fundit janë përditësuar në uebfaqen zyrtare të KQZ-së më 13 shkurt, rreth orës 22:00.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje prin me 40.84 për qind të votave, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 22.05 dhe 17.67 për qind përkatësisht, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban pozitat e katërt me 7.51 për qind të votave.