Për grurin e importuar AUV dhe doganat me të dhëna kontradiktore
Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Fikrim Damka, shqyrtoi raportin e grupit punues, pas vizitës së bërë në Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinës (AUV), si dhe Doganave të Kosovës.
Lajme
Sipas deputetëve Sali Salihu dhe Adem Salihaj, anëtar të grupit punuese, kanë bërë të ditur se gjatë vizitës kanë hasur në të dhëna kontradiktore në mes të AUV-it dhe doganave.
Ata sqaruan se përfaqësuesit e AUV-it kanë insistuar se nuk kanë bërë kontroll të grurit të importuar si ushqim i deklaruar për kafshë, ndërsa në dogana kanë hasur në të dhëna se janë importuar më se 10 mijë tonë, të deklaruar si ushqim për kafshë.
Sipas një komunikatë për media të Kuvendit të Kosovës, anëtarë të këtij komisioni thanë se kjo sasi e mallit, ndonëse ka hyrë në Kosovë pa iu nënshtruar obligimit të përcaktuar në emër të TVSH-së, nuk e dinë se ku ka përfunduar.
Referuesit me këtë rast, po ashtu sqaruan se grupi punues gjatë këtyre vizitave nuk ka pasur për qëllim të dijë vetëm për një kompani të caktuar importuese të këtij malli, por, për të gjitha kompanitë e vendit që merren me këtë veprimtari.
Se ushqimi i importuar është i cilësisë së dyshimtë, vlerësuan edhe anëtarët e tjerë të komisionit, Lahi Brahimaj e Haxhi Shala. Komisioni po ashtu ka shfaqur dyshime edhe në kredibilitetin e Institutit Bioteknik të Bujqësisë në Pejë.
Në fund të debatit, kryetari i komisionit, Damka, tha se në fillim të javës së ardhshme, Dogana, si dhe AUV-i lidhur me këtë çështje, do të sjellin raport më të detajuar në komision.