Për dallim nga vitet tjera mësimi pritet të nis në shtator, nga Ministria e Arsimit ende pa vendim për furnizim me tekste shkollore
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vitin e kaluar kishte marrë vendim që pajisjen e nxënëseve me tekste shkollore ta bëjë nëpërmjet platformës e-Kosova, duke i subvencionuar financiarisht prindërit për blerjen e librave. Por, kjo metodë e furnizimit të nxënësve me libra shkollorë, përfshirë edhe vonesat e shkaktuara nga shtëpitë botuese, ishte kritikuar nga opozita…
Lajme
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vitin e kaluar kishte marrë vendim që pajisjen e nxënëseve me tekste shkollore ta bëjë nëpërmjet platformës e-Kosova, duke i subvencionuar financiarisht prindërit për blerjen e librave.
Por, kjo metodë e furnizimit të nxënësve me libra shkollorë, përfshirë edhe vonesat e shkaktuara nga shtëpitë botuese, ishte kritikuar nga opozita dhe ekspertët e fushës.
Kjo metodë madje s’u ka ndihmuar fare prindërve të cilët prapë se prapë është dashur që vetë të gjejnë mundësinë e zgjidhjes dhe sigurimit të teksteve shkollore për fëmijët.
Situata vazhdon të jetë e njëjtë, duke mos pasur një vendim përfundimtar nëse kjo do të ndryshoj e fëmijët do të furnizohen me tekste shkollore nga Ministria, siç u bë disa vite radhazi e që padyshim ishte metodë tejet lehtësuese për prindërit.
Por ai që merret direkt me kërkesat e prindërve dhe mësuesve është Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj.
I pyetur për këtë çështje, Jasharaj për lajmi.net ka thënë se është shqetësuese fakti që nuk kanë asnjë informacion nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA).
Jasharaj është shprehur se pavarësisht pakënaqësive të cilat i kanë si sindikatë mësimi pritet të filloj në shtator, ku nuk do të ndërmerren veprime sindikale, mirëpo nuk ka përjashtuar mundësinë e marrjes së këtyre veprimeve nëse Qeveria nuk i përfill kërkesat e tyre.
“Sa na takon neve shtatori do të filloj nuk do të ketë veprime sindikale as protesta as greva gjatë fillimit të shtatorit, por si kryetar nuk kam të drejtë të them se kjo nuk do të ndodh gjatë shtatorit nëse mësimdhënësit me pakënaqësinë e tyre na drejtohen dhe ne do të veprojmë sipas zërit të tyre”, ka thënë Jasharaj.
Ai thotë se i frikësohet këmbënguljes së MASHT-it në marrjen e vendimit sikurse vitin e kaluar e të cilin e quan “gabim”.
I pari SBASHK-ut ka treguar për lajmi.net se dy javë më parë ka qenë i ftuar nga zëvendësministri Taulant Kelmendi me të cilin ka biseduar rreth teksteve shkollore e për të cilat ka kërkuar që të jenë gati me 1 shtator.
Ndër të tjera Jasharaj ka thënë se në rast se është e pamundur që të ketë projektor nëpër shkolla, së paku të ketë tekste të reja, për nxënësit e klasave të gjashta dhe të nënta.
“Unë në takimin me zëvendësministrin Taulant Kelmendi e kam lutur në emër të mësimdhënëseve dhe të prindërve që të kemi tekste shkollore me kohë dhe të reja që nga klasa e parë deri të nëntën duke i thënë se nëse Qeveria nuk paska mjete për të punuar me projektor së paku le të ketë tekste të reja mos të punohet me klasat e gjashta dhe të nënta me tekste të vjetra e të dëmtuara, por siç duket ata do të veprojnë sipas tekave të tyre”, është shprehur Jasharaj.
Ai mes tjerash ka përmendur edhe ngritjen e pagës dhe koeficientit duke thënë se vetëm në Kosovë nuk po aplikohet një gjë e tillë ndërsa në vendet e rajonit përfshirë edhe Shqipërinë ka ngritje pagash.
Jasharaj thotë se nga takimi i zhvilluar me zëvendësministrin Kelmendi nuk është se ka marrë ndonjë përgjigje të prerë se a do të jenë tekstet shkollore gati në shtator.
Ndërkohë sipas tij koha më e mirë për dorëzimin e teksteve shkollore do të ishte nga 15 deri në 20 gusht kur edhe kthehen mësimdhënësit nëpër shkolla.
Ndërkaq në një përgjigje për lajmi.net edhe njohësi i Arsimit Rinor Qehaja, ka thënë se shpreson që tekstet shkollore të shpërndahen në kohë tek nxënësit para fillimit të shtatorit.
“Unë ende shpresoj shumë që tekstet shkollore të shpërndahen në kohë tek nxënësit para fillimit të shtatorit. Është proces që ka një logjistikë komplekse prapa, që përfshinë shumë hisedarë, por që në përgjegjësi padyshim që është MASHTI, si institucioni udhëheqës i këtij procesi”, ka thënë Qehaja.
Sipas tij mësimi duhet të filloj me 2 shtator ani pse mësimdhënia nuk është e kufizuar vetëm në tekstin shkollor mirëpo Qehaja e quan fatkeqësi kontekstin e shkollave në Kosovë ku gjithçka ka në “epiqendër” tekstin shkollor.
“Mësimi padyshim që duhet të filloj më 2 Shtator, në fund të ditës, mësimdhënia nuk është e kufizuar me tekstin shkollor vetëm, mirëpo fatkeqësisht konteksti i shkollave tona është ndryshe, gjithçka ka në epiqendër tekstin shkollore, andaj edhe është shumë e rëndësishme që tekstet të jenë të çasshme në kohë”, thotë Qehaja.
Ndër të tjera Qehaja ka përmendur MASHT-in dhe të gjithë akterët e tjerë, përfshirë, komunat, institucionet arsimore, dhe shtëpitë botuese, të cilët sipas tij duhet të respektojnë afatet ligjore të procesit të përzgjedhjes, botimit dhe shpërndarjes së teksteve shkollore.
Ai thotë se vetëm ligji për tekste shkollore dhe legjislacionit sekondar e mirë përcaktojnë tërë procesin.
“MASHTI, dhe të gjithë akterët e tjerë, përfshirë, komunat, institucionet arsimore, dhe shtëpitë botuese, duhet vetëm të respektojnë afatet ligjore të procesit të përzgjedhjes, botimit dhe shpërndarjes së teksteve shkollore. Ligji për Tekste Shkollore dhe legjislacionit sekondar e mirë përcaktojnë tërë procesin”, është shprehur Qehaja.
Probleme të ngjashme me mos fillimin e mësimit në kohën e duhur ka pasur ndër vite në Kosovë.
Protestat, grevat e pakënaqësitë e mësimdhënësve shpesh herë kanë ndikuar që të mos fillohet mësimi, e që nxënësit më pas të përballen me probleme të vazhdueshme të mësim nxënies.
Mos furnizimi i nxënësve me tekste shkollore duket se këtë herë probleme të mëdha do t’u shkaktojë shumë prindërve që duhet t’ua sigurojnë ato, e në shumë raste kanë probleme të mëdha ekonomike që më pas ua vështirëson këtë gjë.
Në rast se Qeveria merr vendim përfundimtar që të mos ua sigurojë këto tekste shkollore, situata veçse do të përkeqësohet.
Në lidhje me furnizimin apo jo të teksteve shkollore lajmi.net ka tentuar ët marrë përgjigje dhe nga Ministria e Arsimit por këta të fundit kanë zgjedhur të mos deklarohen./Lajmi.net/