Për 1.4 milionët e rastit të pasaportave, aktvendimi shtyhet sërish

Shtyhet prapë  marrja e vendimit nga ana e Gjykatës së Arbitrazhit në Paris, për rastin që njihet si “Skandali i pasaportave”. Ky vendim ishte parashikuar të merret fillimisht në muajin mars, por më pas është  shtyrë për në muajin maj. Më vonë, sërish është shtyrë dhe është vendosur që ky vendim të merret me 31 maj 2016. Por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Lajme

08/06/2016 17:36

Lajmi.net ka kërkuar sqarime nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme tash kur data shënon 8 qershor se cili është vendimi i marrë nga Gjykata e Arbitrazhit për 1.4 milion eurot në ballafaqimin e tyre me kompaninë austriake OeSD.

“Lidhur me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit, me rastin MPB-OeSD, nuk është vendosë në afatin e paraparë me 31 maj 2016”, thanë në MPB për lajmi.net

“Afati  është shtyrë”, shkruan në këtë përgjigje,  duke mos dhënë asnjë kohë se kur një vendim i tillë mund të merret.

Lajmi.net ka kontaktuare dhe avokati i MPB-së, Ahmet Hasolli, i kontraktuar me rreth 100 mijë euro nga kjo ministri për të mbrojtur interesat e saj në Gjykatën e Arbitrazhit.

Por as Hasolli  nuk preferoi të thotë diçka në lidhje me këtë çështje duke deklaruar se për këtë rast mund të flasë vetëm MPB-ja.

Lajmi.net ka kontaktuare dhe zyrtarë të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me këtë proces ndërmjet MPB-së e OeSD-së, ku për humbjen e 1.4 milion eurove të ministrisë, ka edhe persona të dënuar që po vuajnë dënimet me burg.

Por në këtë Gjykatë thanë se nuk i publikojnë rastet e tyre pasi i konsiderojnë si çështje të brendshme.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe kompania austriake e prodhimit të pasaportave, OeSD, nuk kishin gjetur marrëveshje për 1.4 milion eurot e humbura në verën e vitit 2012.

MPB pretendonte se ato para ia kishte dhënë sipas autorizimit të kompanisë austriake, Natali Veliajt, kurse OeSD pretendonte se ato para nuk i kishte marrë dhe nuk kishte autorizuar askënd për këtë çështje, raporton lajmi.net.

Por palët u pajtuan që t’i drejtohen një gjykate të arbitrazhit, duke e përzgjedhur atë të Parisit.

Ndërkohë, lidhur me zhdukjen e 1.4 milion eurove, shtetasja gjermane, Natali Veliaj, në vitin 2014, është dënuar nga drejtësia kosovare me 12 vjet burg dhe 25 mijë euro gjobë. Ndërsa, Fisnik Balaj, i akuzuari i dytë në rastin e pasaportave është dënuar me 11 vjet burg dhe 25 mijë euro gjobë.

Por këtë vit, shtetases gjermane, Natali Veliaj, Gjykata e Apelit ia ka hequr katër vjet, prej dënimit prej 12 vjetësh, ndërsa Fisnik Blakajt ia ka hequr gjashtë nga 12 vjet.  Ata do të paguajnë secili edhe  nga 25 mijë euro gjobë.

Në janar të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme, kishte konfirmuar për lajmi.net se kishte përfunduar seanca kryesore në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris, ndërmjet shtetit të Kosovës dhe kompanisë austriake ‘OeSD’./lajmi.net