Pensionisti dënohet me 9 muaj burgim për dy vepra penale
Mehmet Jashari, 73 vjeçar, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 9 muaj burgim për dy vepra penale.

Lajme
Pensionisti Jashari për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, u dënua me 7 muaj burgim ndërsa, për veprën “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, është dënuar me 3 muaj burgim. Por, gjykata ndaj Jasharit, shqiptojë dënim unik në lartësi prej 9 muajsh.
Në arsyetimin e kryetarit të trupit gjykues, Arben Hoti, theksoi se si rrethanë veçanërisht lehtësuese është marrë mosha e shtyrë e të akuzuarit. Ndërsa, vlerësoi se me këtë dënim do të arrihet qëllimi i dënimit që i akuzuari të mos kryej vepër tjetër penale dhe njëkohësisht të arrihet parandalimi që asnjë qytetarë të mos kryejnë vepra penale, që sipas tij, për shkak se ndaj tyre do të shqiptohen sanksione penale.
Sipas aktakuzës, Mehmet Jashari, më 7 korrik të vitit të kaluar në fshatin Batllavë të Podujevës për shkak të mosmarrëveshje të mëhershme në mes tij dhe tani të dëmtuarve Isuf, Shkëlzen dhe Lorik Tërholli dhe pas fjalosjes verbale, Jashari me qëllim të rrezikimit të jetës së të dëmtuarve ka shtënë fillimisht në drejtim të tokës e kur të dëmtuarit kanë dal nga automjeti, në të cilin ishin, ka shtënë në drejtim të automjetit duke i shkaktuar kështu të dëmtuarve edhe dëme materiale.
Ndryshe, sipas aktakuzës për këto veprime Jashari fillimisht ishte akuzuar me veprën penale “vrasje në tentativë”, por më pas kjo vepër është rikualifikuar me veprën penale “shkaktim i rrezikimit të përgjithshëm”.
Pas bastisjes në shtëpinë e të akuzuarit ishte gjetur edhe një armë e zjarrit pa leje, me të cilën armë prokuroria pretendon se e ka kryer veprën penale “shkaktim i rrezikimit të përgjithshëm”.