Pensionistët i gëzohen vendimit të Gjykatës Supreme

Pas një periudhe të gjatë pritjeje dhe padive të shumta, pensionistët në Kosovë kanë marrë një lajm pozitiv. Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshëm kufizimin kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore në pensionet kontribut-paguese, duke hapur rrugën për njohjen e kualifikimeve nga viti 1991 e më tutje. Sherif Kastrati, sekretar i Pensionistëve të…

Lajme

25/03/2026 15:45

Pas një periudhe të gjatë pritjeje dhe padive të shumta, pensionistët në Kosovë kanë marrë një lajm pozitiv. Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshëm kufizimin kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore në pensionet kontribut-paguese, duke hapur rrugën për njohjen e kualifikimeve nga viti 1991 e më tutje.

Sherif Kastrati, sekretar i Pensionistëve të Kosovës, për FrontOnline, ka thënë se vendimi i Gjykatës Supreme është një informacion shumë i mirë për komunitetin e pensionistëve.

 

“Ka pasur padi të ndryshme, por deri më tani nuk kemi pasur ndonjë rezultat. Kjo është informatë shumë e mirë. Tani Gjykata Supreme ka sjellë vendim për njohjen e kualifikimeve nga viti 1991 e tutje”, ka deklaruar Kastrati.

Ai ka shtuar se situata e pensionistëve ka qenë e vështirë për shkak të ngarkesës financiare që bie mbi familjet e tyre.

“Mëzi si e arrijmë një shujtë ditore ta hamë, çdo gjë rëndohet, rëndohet buxheti i pensionistave, dhe kjo i rëndon të gjithë. Gjithë pensionistët i ngarkojnë familjet dhe fëmijët e tyre. Ne jemi parazit të nevojshëm për ta. Shoqëria duhet të ketë kujdes për ne”, ka thënë Kastrati.

Ky vendim pritet të sjellë ndryshime të konsiderueshme në mënyrën e llogaritjes së pensioneve kontribut-paguese dhe mund të përmirësojë ndjeshëm standardin e jetës së pensionistëve që deri tani kanë hasur vështirësi për shkak të kufizimeve kohore.