“Pensionet do rriten çdo janar”, Rama: Kartë për artikujt bazë nëse ka rritje të çmimeve
Kryeministri Edi Rama zhvilloi të premten një takim me pensionistë të njësisë nr.2. Rama tha se rritja reale e pensioneve ka nisur në janar dhe do të vijojë në mënyrë progresive çdo janar. “Më në fund erdhi momenti që ekonomia na e krijoi këtë mundësi, duke nisur nga janari merrni pensione më të larta. Çdo…
Lajme
Kryeministri Edi Rama zhvilloi të premten një takim me pensionistë të njësisë nr.2. Rama tha se rritja reale e pensioneve ka nisur në janar dhe do të vijojë në mënyrë progresive çdo janar.
“Më në fund erdhi momenti që ekonomia na e krijoi këtë mundësi, duke nisur nga janari merrni pensione më të larta. Çdo janar pensioni do të rritet, janari i ardhshëm rritja do jetë dyfishi i këtij janari, në 2029-katërfishim në 2030 pesëfishi. Do të rishikojmë skemën aktuale për pensionistët e vetëpunësuar dhe për ata që vazhdojnë të punojnë se ka hapësirë për të bërë disa ndryshime, qe shkojnë në favor të pensionistëve. Kemi diskutuar edhe mbështetjen për invalidët që kanë të drejtë të kërkojnë të trajtohen në mënyrë të barabartë. Për momentin kanë një diferencim, sidoqoftë ai që për shkak të punës ka humbur aftësinë për punë, s’mund të lihet mbrapa atij që s’ka punuar asnjëherë për shkak të punës”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se pensionistët do të jenë të parët që do të mbrohen nëse do vijojë të ketë rritje të çmimeve për shkak të luftës, duke i pajisur me një kartë të shpenzimeve familjare për produktet e shportës.
“Ju politikën e dini më mirë se të tjerët, ndaj votoni për këtë qeveri. Unë dua të them diçka tjetër, që kemi pasur një rrugë të vështirë edhe për një arsye që siç e shihni është gjithmonë edhe më e pranishme, gjëra që janë jashtë vullnetit tonë, që nga pandemia apo lufta në Ukrainë apo dhe në Lindjen e Mesme, që vjen këtu te çmimi i naftës kërcen jashtë çdo parashikimi dhe që shpresojmë që ai armëpushimi të çojë në zgjidhje përfundimtare, para se ai çmimi i naftës të shfaqet edhe te çmimet e ushqimeve. Nëse do shfaqet te ushqimet gjëja e parë që do mendojmë jeni ju, të tjerët vijnë prapa dhe bashkë me ju edhe familjet në nevojë, për të cilat po përgatisim një skemë të re të bazuar në një kartë të shpenzimeve familjare në bazë të shportës në mënyrë që lekët e TVSH të shkojnë të shkojnë te familjet”, tha Rama.