Peng të paradokseve

11:25 | 13 Shkurt 2020

Janë disa tema politike të cilat më assesi nuk mund të shpjegohen dhe sqarohen në më mënyrë racionale. Si të tilla, ato na ngulfatin të gjithëve.

Shkruan: Blerim Shala

Në këtë politikën kosovare, në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian, në relacionet e Kosovës me Serbinë, kemi mbërri në një stad kur nuk mund të ketë shpjegime dhe justifikime racionale, të arsyeshme, për ngjarjet dhe zhvillimet të cilat, në tërësinë e tyre, po na mbajnë të gjithë neve, si qytetarë të Kosovës, peng, pa një perspektivë të qartë, pa një të ardhme të sigurt, pa një stabilitet dhe qëndrueshmëri.

Deficiti i racionalitetit në shpjegimin e këtyre proceseve, pastaj, hap udhë për emocione, dyshime, supozime që anojnë kah teoritë e komplotit, dhe të gjitha këto vetëm sa e rëndojnë situatën edhe ashtu të brishtë në politikën e Kosovës dhe tek qytetarët e rëndomtë.

Ta zëmë, askush këtupari nuk mund të ofrojë një sqarim a shpjegim të arsyeshëm pse katër vjet e gjysmë pas themelimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ende nuk i kemi aktakuzat e para, gjykimet e para dhe shenjat që kjo ndërmarrje gjyqësore do të përmbyllet në një të ardhme të afërt.

Kemi të bëjmë me ngjarjet e viteve të luftës, dhe të asaj periudhe menjëherë pas përfundimit të saj. Nuk mundet Kosova si shoqëri, si shtet, të merret edhe vite të tëra me këtë kapitull të historisë së vet. Është ky një lloj i ‘Gravitetit i të kaluarës’, i cili na mbanë peng të historisë, na e merr kohën e sotme me të madhe, na e vështirëson hapin në synimin për ta bërë Kosovën shtet stabil dhe për tu përshtatur në rrethanat edhe ashtu të ndërlikuara ndërkombëtare.

Pastaj, nuk ka si të shpjegohet fakti që as 22 vite pas fillimit të negociatave dhe bisedimeve në mes të autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë, nuk është arritur një Marrëveshje e madhe politike  (që shpeshherë quhet Marrëveshje Gjithpërfshirëse), për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve. Është kjo një tjetër çështje që vetëm sa e forcon atë ‘Gravitetin e të kaluarës’, i cili ndikon që ne të provojmë të ecim para me një barrë në shpinë prej 20 kilogramëve.

Në këtë kontekst, nuk ka mbet më ndonjë justifikim për ta mbajtur në fuqi atë masën e tarifës, e cila fillimisht ishte një përgjigje e imponuar dhe e drejtë e Qeverisë së Kosovës ndaj fushatës agresive të Qeverisë së Serbisë ndaj Kosovës në rrafshin ndërkombëtarë.

Ka ardhur koha pra për ta marrë një vendim të duhur këtu, mbi të gjitha për t’i dhënë rast a mundësi nismës së njohur të Administratës Amerikane që Kosova dhe Serbia ta përmbyllin një herë e mirë kontestin historik dhe politik mbi një shekullor, që prej se Kosova është okupuar nga Serbia, në vitin 1912-të.

Një tjetër temë që gjithashtu të bën me emocione, me nerva dhe të frustron, pa ofruar asnjë të vetmin shpjegim racional është ajo që përkon me sanksionimin e çuditshëm dhe të padrejtë të qytetarëve të Kosovës nga BE-ja, duke iu pamundësuar qytetarëve të këtij shteti të udhëtojnë pa viza në Evropë.

Objektivisht, nuk ka më çka të thuhet këtu. Edhe politikanët, publicistët dhe intelektualët kosovarë më të moderuar, më pro-evropianë dhe më pro-perëndimorë, nuk dinë si ta shpjegojnë këtë sjellje të gabuar, shumë të gabuar madje, të BE-së ndaj nesh si Kosovë, e cila është shfaqur edhe më parë, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur mungoi ai uniteti aq i synuar i Bashkimit Evropian në njohjen e këtij shteti, dhe në qasjen e tërësishme ndaj Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.

Për më shumë, tema e Liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, hiç këtu disa deklarata të kota të politikanëve dhe diplomatëve evropianë të cilat më nuk kanë kurfarë efekti tek ne  (pos atij të shtimit të shkallës së dëshpërimit dhe të mërzisë), duket që as nuk është në Rend të ditës për vendimmarrje në instancat më të larta të BE-së.

Qytetarët e Kosovës tani e kanë më lehtë të pajisen me një Vizë pune për të punuar në Evropë, se sa të marrin një Vizë për udhëtim në Evropë.

Me siguri që ka edhe tema a çështje të tjera të cilat janë zhveshur nga çdo shpjegim racional, gjë që gjithsesi pastaj reflektohet edhe në pritjet dhe shpresat e qytetarëve të Kosovës.

Ky grumbulli i këtyre temave shumë problematike, do të duhej të çmontohet disi, duke i adresuar një nga një, secilën prej tyre.

Ndryshe nuk bën.