Peci: Unë propozoj një qeveri stabile por nëse ka refuzim, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci është deklaruar për media para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, në lidhje me propozimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut për Qeveri tranzicionale. Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për një qeveri stabile, e që sipas tij është një koalicion me shumicë shqiptare duke i respektuar…

Lajme
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci është deklaruar për media para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, në lidhje me propozimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut për Qeveri tranzicionale.
Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për një qeveri stabile, e që sipas tij është një koalicion me shumicë shqiptare duke i respektuar detyrimet kushtetuese të përfaqësuesve të komuniteteve jo shumicë, shkruan lajmi.net.
Sipas tij, nëse kjo refuzohet, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja.
“Nëse ka refuzim nga të gjithë, atëherë rrugëzgjidhja e vetme që mundet me qenë është një marrëveshje politike për konstituim të Kuvendit dhe caktimin e afateve kohore, në koordinim edhe me Presidenten se kur munden me u mbajt zgjedhjet e reja”, ka thënë Peci.
Ai ka thënë se votimi kundër i opozitës për Albulena Haxhiun si kandidate për kryeparlamentare, nuk lidhet me emrin e saj.
“Hiq nuk është problem emri i kryeparlamentarit, të jeni të sigurt se kushdo prej nesh që do të ishte kandidati i parë dhe do të hidhej në seancë, nuk do ti merrte votat. Është vetëm alibi për me vazhdu bllokadën, por emrat pastaj janë arsye. E drejta që i takon atij që është fituesi, nuk është e drejta e tjetrit me ardh me na kallxu kush duhet të jetë kryetar i Kuvendit”, ka shtuar Peci. /Lajmi.net/