Peci reagon ndaj shkarkimeve në Zveçan: Arsyetimet e kryetarit nuk qëndrojnë

Ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka kundërshtuar vendimin e kryetarit aktual të kësaj komune, Dragisha Milloviq, për moskonfirmimin e kontratave të punës për dy zyrtarë komunalë shqiptarë. Peci, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është i pabazuar dhe në kundërshtim me legjislacionin…

Lajme

15/01/2026 09:55

Ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka kundërshtuar vendimin e kryetarit aktual të kësaj komune, Dragisha Milloviq, për moskonfirmimin e kontratave të punës për dy zyrtarë komunalë shqiptarë.

Peci, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është i pabazuar dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Ai ka theksuar se, sipas ligjit, pas përfundimit të periudhës provuese gjashtëmujore, nëse brenda 24 orëve nuk merret vendim për ndërprerje, kontrata e punës vazhdon automatikisht.

“Sipas këtij rasti, afati ligjor është tejkaluar dhe, rrjedhimisht, vendimi i marrë nuk prodhon efekt juridik”, ka shkruar Peci.

Ai ka shtuar se arsyetimet e paraqitura nga kryetari aktual janë të pabazuara, duke veçuar pretendimet për vlerësim të dobët të punës. Sipas Pecit, gjatë mandatit të tij si kryetar i Komunës së Zveçanit, puna e dy zyrtarëve është vlerësuar pozitivisht për pesë muaj radhazi, ndërsa ata kanë përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mënyrë profesionale.

Peci e ka cilësuar këtë veprim si shkelje ligjore dhe padrejtësi institucionale, e cila, sipas tij, dëmton funksionimin e administratës komunale dhe cenon parimin e barazisë. Ai ka kërkuar rishqyrtim urgjent të vendimit dhe respektim të ligjeve, procedurave dhe të drejtave të zyrtarëve komunalë.

“Do të vazhdoj të angazhohem që institucionet komunale të veprojnë në përputhje me ligjin dhe në interes të qytetarëve të Komunës së Zveçanit”, ka theksuar Peci. /Lajmi.net/