Peci: Nuk ka Kosovë pa Mitrovicë, gara për kryetar ka rëndësi strategjike
Kandidati për kryetar të Mitrovicës nga radhët e VV-së, Guxo dhe Alternativës, Faton Peci, ka deklaruar se rikthimi i tij në këtë qytet në kulmin e karrierës politike është i lidhur me rëndësinë strategjike dhe jetike që ka Mitrovica për Kosovën. Peci tha se gara për të parin e Mitrovicës nuk është vetëm mënyra për…

Lajme
Kandidati për kryetar të Mitrovicës nga radhët e VV-së, Guxo dhe Alternativës, Faton Peci, ka deklaruar se rikthimi i tij në këtë qytet në kulmin e karrierës politike është i lidhur me rëndësinë strategjike dhe jetike që ka Mitrovica për Kosovën.
Peci tha se gara për të parin e Mitrovicës nuk është vetëm mënyra për administrimin e saj, por ceku se ka konotacion më të gjerë politik.
“Në kulmin e karrierës time, unë i kthehem Mitrovicës për dy arsye. E para, mendoj se është interes strategjik edhe jetik për Kosovën, sepse nuk ka Kosovë pa Mitrovicë edhe beteja jonë e pasluftës posaçërisht por edhe më herët se ka histori, çdoherë ballafaqimi me Serbinë dhe Rusinë ka qenë në veriun e Kosovën dhe në Mitrovicë e rrjedhimisht marrë për bazë edhe pozicionin gjeostrategjik dhe politik që ka Mitrovica gara për kryetarin dhe të parin e Mitrovicës nuk është thjeshtë vetëm garë për me administru një komunë, por ka konotacion edhe më të gjerë politik”, tha ai në Tëvë1.
Ai kujtoi fazat e angazhimit shtetëror në veri, duke përmendur luftimin e kontrabandës, krimit të organizuar dhe ndikimit të Serbisë, si dhe largimin e Milan Radojiçiqit dhe grupeve kriminale të tij.
Përveç këtyre që ceku gjatë qeverisjes së Kurtit, ai tha se tashmë radha për në Mitrovicë është investimi.
Sipas Pecit, tashmë ka ardhur koha për një fazë të re – atë të investimeve ekonomike dhe të mirëqenies.
“Faza e radhës për Mitrovicën, pas këtyre është faza e investimeve më të madh në aspektin ekonomik dhe mirëqenie, ku në funksion të saj me u realizu edhe vizioni dhe projekti jonë që është i VV-së dhe Guxo-s e Alternativës. Qeveria rezultatin më të madh e ka në veri”, deklaroi ai.