Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur aktivitetin “Gratë në PDK”, në kuadër të Javës së Gruas 2026, të organizuar nga National Democratic Institute (NDI), ku u diskutua për rolin e grave në politikë, sfidat e përfshirjes së tyre dhe nevoja për mekanizma të qëndrueshëm për avancimin e tyre në strukturat partiake dhe vendimmarrje.
Në këtë ngjarje mori pjesë Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së dhe njëkohësisht nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila theksoi se misioni i partisë është i qartë: krijimi i një hapësire politike ku gratë dhe burrat janë të barabartë në vendimmarrje.
“Misioni ynë është i qartë: një parti ku burrat dhe gratë nuk janë në role të ndara, por janë bashkë në një tavolinë vendimmarrëse, si partnere të barabarta, si bashkëkrijuese të politikave dhe si bartëse të përgjegjësive”, tha Çitaku.
Ajo shtoi se synimi nuk është përfaqësim formal i grave, por përfshirje reale në vendimmarrje, duke theksuar se gratë sjellin perspektiva të reja dhe ndikim të drejtpërdrejtë në politika më të përgjegjshme dhe më afër qytetarëve.
“Ne nuk duam gra vetëm në lista, ne duam gra në vendimmarrje. Ne nuk duam gra vetëm në fushata, ne duam gra në drejtim. Ne nuk duam përfaqësim simbolik, ne duam ndikim real”, u shpreh ajo.
Në aktivitet foli edhe kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, deputetja Arbnora Salihu, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes së ndërsjellë mes vajzave dhe grave në politikë.
Ajo tha se Rinia Demokratike e Kosovës ka arritur përfaqësim të barabartë gjinor 50/50, duke e cilësuar këtë si dëshmi të angazhimit për barazi dhe gjithëpërfshirje.
“Le të jemi rrjet mbështetjeje për njëra-tjetrën. Le të jemi arsyeja pse një vajzë e re vendos të mos dorëzohet dhe të merret me politikë”, tha Salihu.
Në kuadër të aktivitetit u mbajtën edhe panele diskutimi me gra dhe përfaqësuese të ndryshme të strukturave të PDK-së, ku u trajtuan tema lidhur me fuqizimin e grave në politikë, përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe krijimin e mundësive të barabarta në parti dhe institucione.
Ky aktivitet u vlerësua si një platformë për rrjetëzim, shkëmbim përvojash dhe forcim të rolit të grave në politikë brenda strukturave të PDK-së. /Lajmi.net/