PDK nuk ka politika të përjashtimit

Adem Grabovci thotë se nuk ka marrëveshje mes Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës për bashkëqeverisje pas zgjedhjeve të përgjithshme. Por, pohon se PDK nuk ka politika të përjashtimit. Sidoqoftë, konsideron se ende është heret për këto punë.

Lajme

23/02/2014 16:45

Shefi i GP të PDK’së, Adem Grabovci, thotë se nuk ka informacione që liderët e dy partive politike, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, kanë një marrëveshje në parim për një bashkëqeverisje të mundshme pas zgjedhjeve parlamentare.

Megjithatë, në një prononcim për lajmi.net, Grabovci pohon se PDK nuk e përjashton askënd që të bëjë koalicion. Por, konsideron se është herët të diskutohet se kush me kënd do të qeverisë.

“Të paktën, ne nuk kemi një informacion të tillë. Për atë është kompetent z. Thaçi që ka marrë pjesë në atë takim dhe ai mund ta bëjë publike. Unë i besoj asaj që ka thënë z. Thaçi, por njëkohësisht edhe z. Mustafa”.

“Sipas  informacioneve tona dhe asaj që është publike dhe e kanë bërë të ditur që të dy kryetarët, takimi ka qenë për përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare”.

“Ajo që për mua është e rëndësishme dhe që më së paku është duke u diskutuar është mbajtja e zgjedhjeve fer, të lira dhe demokratike”.

“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk është udhëhequr nga politika e përjashtimit, përkundrazi ne jemi të angazhuar për integrime europiane, e nuk mund të ketë integrime europiane pa pasur integrime të brendshme regjionale e kombëtare”.

Mediat kanë raportuar se në takimin e 14 shkurtit në mes të dy liderëve të partive më të mëdha në vend, nuk ka pasur ujdi vetëm për reformën zgjedhore dhe zgjedhjet e parakohshme, por edhe për një bashkëqeverisje të mundshme në mandatin e ardhshëm qeverisës.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputeti Arben Gashi, i cili ka qenë pjesëmarrës në takimin e fundit në mes të Thaçit dhe Mustafës, mohon të ketë pasur marrëveshje për një bashkëqeverisje të mundshme pas zgjedhjeve parlamentare.

Në një postim në rrjetin e tij social në Facebook ai ka thënë që mediat të ndalin spekulimet, pasi, sipas tij, nuk  ka kurrfarë marrëveshje me Thaçin për bashkëqeverisje.

“Biseda ka qene për të dakorduar hapat për reformë zgjedhore dhe afatin e zgjedhjeve, asgjë tjetër”, ka thënë Gashi.

Gjatë një takimi të zhvilluar dy javë  më parë, dy liderët e partive më të mëdha politike Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, janë pajtuar që reforma zgjedhore të përmbyllet në pjesën e dy të muajit mars, ndërsa zgjedhjet parlamentare të mbahen në fillim të muajit qershor.