PDK ngrit pagat vetëm para zgjedhjeve
LDK ka kritikuar Qeverinë se po premton rritje pagave vetëm në kohën parazgjedhore. Sipas tyre, çmimet kanë rritje të vazhdueshme, ndërsa pagat dhe pensionet ngritën vetëm një herë brenda 3 vjetëve.
Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kritikuar qeverisjen e PDK’së, duke thënë se premton rritje të pagave në kohën kur rritja e çmimit të disa herë më e madhe.
Me një komunikatë për media, ekspertë të kësaj partie kanë vlerësuar se rritja e çmimit të energjisë nga muaji prill, bashkë me rritjen e çmimeve të artikujve ushqimor, do të devalvojë rritjen e pagave për shërbyesit civil.
“Njësoj ndodhi edhe më 2011, kur rritja e pagave u shoqërua me rritje të TVSh-së nga 15% në 16%, tatimi në qarkullim për biznese të vogla nga 5% në 9%, dhe norma minimale e tatimit në pronë nga 0.05% ne 0.15%”.
“LDK-ja vlerëson se të gjithë qytetarët duhet të përfitojnë barabartë nga shteti. Bashkë me rritjen e pagave për shërbyesit civil, duhet të rriten pagesat për këto kategori që kanë shumë nevojë: Pensionet bazë për ata që i mbushin 65 vjet, Pensionet për personat me aftësi të kufizuara, Pensionet për invalidët e luftës, Pagesat për familjet e dëshmorëve,
“Pagesat për familjarët e të zhdukurve, Pagesat për familjen e invalidit të luftës pas vdekjes së invalidit,Familjarët e viktimave civile dhe Pagesat për fëmijët e braktisur”.
“Niveli i ndihmës që marrin këto kategori është tepër i ulët. Një familje 7 anëtarësh merr 80 euro në muaj, ndërkaq një i moshuar mbi 65 vjet merr pension bazë vetëm 60 euro”.
“LDK-ja vlerëson si të dështuar këtë model qeverisës të PDK-së, ku rritja e pagave bëhet një herë në tri vite dhe vetëm në kohë zgjedhjes”.