PDK ngre dyshime për procesin e bursave në Fushë Kosovë, Murseli kërkon verifikim të procedurës

Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, Valon Murseli, ka ngritur pretendime për mungesë transparence në procesin e ndarjes së bursave studentore nga Komuna e Fushë Kosovës. Murseli ka deklaruar se mënyra e publikimit të listës së përfituesve nuk i përmban, sipas tij, të gjitha elementet e nevojshme të një…

Lajme

20/07/2026 21:30

Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, Valon Murseli, ka ngritur pretendime për mungesë transparence në procesin e ndarjes së bursave studentore nga Komuna e Fushë Kosovës.

Murseli ka deklaruar se mënyra e publikimit të listës së përfituesve nuk i përmban, sipas tij, të gjitha elementet e nevojshme të një njoftimi zyrtar, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën e procesit.

Sipas tij, lista është publikuar vetëm në format Excel dhe nuk përmban numër protokolli, emrat e anëtarëve të komisionit vlerësues apo nënshkrimet e tyre.

“Nga një njoftim në Excel i Komunës së Fushë-Kosovës, që nuk përmban asnjë element të një njoftimi zyrtar, as numër të protokollit, as emrat e anëtarëve të komisionit vlerësues dhe as nënshkrimet e tyre, shihet qartë mungesa e transparencës në këtë proces”, ka deklaruar Murseli.

Ai ka pretenduar gjithashtu se nuk janë bërë publike pikët e studentëve përfitues dhe as lista e kandidatëve që nuk kanë përfituar bursë, së bashku me pikët e tyre, duke vlerësuar se kjo krijon paqartësi mbi mënyrën e përzgjedhjes.

“Kjo mënyrë e publikimit të rezultateve shpërfaq mungesë serioze të transparencës dhe ngre dyshime të bazuara mbi mënyrën e përzgjedhjes dhe shpalljes së studentëve përfitues të bursave”, është shprehur ai.

Murseli ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Auditorit të Brendshëm të Komunës së Fushë Kosovës për shqyrtimin e gjithë procesit, ndërsa ka kërkuar që, në rast të konstatimit të parregullsive, rekomandimet të adresohen tek institucionet përgjegjëse.

Po ashtu, ai u ka bërë thirrje studentëve që konsiderojnë se janë dëmtuar në këtë proces që ta kontaktojnë, duke kërkuar që procedura të rishikohet dhe bursat të ndahen në përputhje me kriteret e përcaktuara në thirrjen publike. /Lajmi.net/