PDK me mbi 272 mijë euro shpenzime në fushatën e Zgjedhjeve Lokale 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportin e paaudituar të deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të PDK-së për Zgjedhjet Lokale 2025, të cilat janë mbajtur më 12 tetor. Sipas raportit që përfshin periudhën nga 9 qershori deri më 9 nëntor 2025, PDK ka deklaruar të hyra totale në vlerë prej 248 mijë e 543 euro…

Lajme

16/01/2026 17:28

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportin e paaudituar të deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të PDK-së për Zgjedhjet Lokale 2025, të cilat janë mbajtur më 12 tetor.

Sipas raportit që përfshin periudhën nga 9 qershori deri më 9 nëntor 2025, PDK ka deklaruar të hyra totale në vlerë prej 248 mijë e 543 euro e 18 centë, ndërsa shpenzimet e fushatës kanë arritur në 272 mijë e 772 euro e 6 centë, duke rezultuar me një deficit prej 24 mijë e 228 euro e 88 centë, raporton lajmi.net

Gjatë kësaj periudhe, subjekti politik ka raportuar 25 mijë e 780 euro donacione dhe kontribute në të holla, si dhe 222 mijë e 763 euro e 18 centë kontribute në natyrë, të realizuara përmes mallrave dhe shërbimeve. PDK nuk ka deklaruar të hyra nga buxheti i shtetit apo nga anëtarësia.

Shpenzimet më të mëdha janë evidentuar në kategorinë e shpenzimeve të përgjithshme, në vlerë prej 222 mijë e 763 euro e 18 centë, që përputhen me kontributet në natyrë të deklaruara. Ndërkohë, për reklama, reprezentacion dhe konferenca janë shpenzuar 50 mijë e 8 euro e 88 centë, kryesisht për reklamime në media dhe në rrjete sociale.

Gjatë periudhës raportuese nuk janë deklaruar shpenzime për paga, transport apo për blerje mallrash.

Në fund të periudhës, PDK ka raportuar 248 mijë e 991 euro e 5 centë para dhe ekuivalentë të parasë, ndërsa detyrimet totale kanë arritur në 44 mijë e 292 euro e 81 centë. Ekuiteti i subjektit politik është deklaruar në vlerë prej 208 mijë e 234 euro e 75 centë.

Raporti financiar është nënshkruar nga përfaqësuesi i autorizuar financiar, Muhamet Morina, ndërsa në atë kohë kryetar i PDK-së ishte Memli Krasniqi. KQZ ka theksuar se publikimi i këtyre raporteve është bërë në përputhje me Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike, me synim rritjen e transparencës mbi financimin e fushatave zgjedhore./Lajmi.net/