PDK: Kosova humbi edhe një herë Këshillin e Evropës për shkak të një qeverie që nuk e kupton dialogun
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se rruga evropiane e Kosovës ka stagnuar, pasi para dy ditësh vendi ynë humbi rastin për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, për herë të dytë rresht. Në një konferencë për media, ajo theksoi se ky moment kyç që do t’i hapte rrugë forcimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar,…

Lajme
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se rruga evropiane e Kosovës ka stagnuar, pasi para dy ditësh vendi ynë humbi rastin për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, për herë të dytë rresht.
Në një konferencë për media, ajo theksoi se ky moment kyç që do t’i hapte rrugë forcimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar, :u humb për shkak të veprimeve të papërgjegjshme dhe arrogante të Qeverisë Kurti”.
Deputetja e PDK-së tutje shprehu keqardhje që këto ditë, kur të gjithë liderët evropianë janë mbledhur në Tiranë për të diskutuar për të ardhmen e kontinentit, Kosovës të gjithë pa përjashtim kanë vendosur t’i vënë sanksione politike.
“Kosova po humb qindra milionë euro ndihmë e mbështetje nga Bashkimi Evropian. E gjithë kjo, si pasojë e izolimit ndërkombëtar që i është shkaktuar vendit nga një qeveri që nuk kupton dialogun, bashkëpunimin dhe përgjegjësinë. Në planin e njohjeve ndërkombëtare, Kosova ka stagnuar plotësisht. Jo vetëm që nuk ka pasur njohje të reja, por nuk ka pasur as përpjekje serioze për to. Ministria e Punëve të Jashtme është kthyer në një sektor të paralizuar nga diletantizmt”, tha Musliu-Shoshi.
PDK e konsideron të papranueshme, të jashtëligjshme dhe shpërdorim të votës së qytetarëve bllokadën institucionale.
“Tani jemi dëshmitarë të një situate absurde: më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kjo qeveri ka marrë peng institucionet e vendit. Ka bllokuar formimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së re, duke e çuar vendin drejt një krize të thellë kushtetuese dhe institucionale”, theksoi ajo.
Musliu-Shoshi deklaroi po ashtu se është koha që Kosova të ketë një qeveri që punon për qytetarët dhe që është e aftë ta kthejë vendin në binarët e duhur drejt integrimit euroatlantik, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të shtetësisë sonë.
“Mjaft është mjaft. Bllokada politike po shkakton pasoja të mëdha në jetën e qytetarëve tanë dhe në ecurinë e shtetit tonë. PDK ka kontribuar në zgjidhje – të cilën fatkeqësisht ky pushtet i paligjshëm po refuzon ta dëgjojë. Çdo vonesë po i kushton Kosovës. Sot Këshilli i Evropës, nesër fondet ndërkombëtare, pasnesër diçka tjetër, akoma më e madhe”, ka përfunduar deputetja e PDK-së.