PDK-ja përmbyll fushatën zgjedhore në kryeqytet
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sonte tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në kryeqytet. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se kandidati i kësaj partie për kryetar të Prishtinës Uran Ismaili ka programin më konkret dhe më të mirë që kryeqyteti ka pasur ndonjëherë dhe se ai është kandidati më i duhur për të sjellë…

Lajme
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sonte tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në kryeqytet.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se kandidati i kësaj partie për kryetar të Prishtinës Uran Ismaili ka programin më konkret dhe më të mirë që kryeqyteti ka pasur ndonjëherë dhe se ai është kandidati më i duhur për të sjellë ndryshimet pozitive për qytetarët.
“Qytetarët e Prishtinës janë lodhur nga ankesat dhe lufta politike që e ka mbajtur peng qytetin tonë, Urani me të drejtë thotë është koha për Prishtinën, e unë them është koha për Urani…Uran Ismaili e do Prishtinën me zemër, e ka dashur gjithmonë, si nxënës, tifoz i flakët i Plisave, si asamblist, si deputet dhe si ministër dhe e do edhe më shumë sot si baba i dy fëmijëve të mrekullueshëm. Përveç familjes së tij, Uran Isamili përnjëmend jeton edhe për Prishtinën. Nuk do të ketë pengesë që do ta ndalë Uran Ismailin që ta bëjë Prishtinë më mirë se sot…Jepjani një shans Uran Ismaili, sepse po ia jepni një shans Prishtinës për ndryshim për të jetuar më mirë në kryeqytetin tonë dhe të dielën, dilni dhe votoni për ndryshim”, ka thënë Krasniqi.
Kandidati për kryetar të Prishtinës Uran Ismaili tha se gjatë fushatës zgjedhore ka zhvilluar takime të shumta me qytetarë me të cilët ka diskutuar mbi problemet me të cilat përballen ata.
Uran Ismaili u zotua se Prishtina nën qeverisjen e tij nuk do të jetë fushëbetejë e partive politike, por do të bëhet shembulli i bashkëpunimit me zgjidhje konkrete dhe në shërbim të qytetarëve.
Ismaili ka treguar prioritetet e tij me marrjen e mandatit – hapjen e sheshit “Xhorxh Bush”, sjelljen e 100 autobusëve të rinj, ndriçim të rrugëve të reja, rritjen e sigurisë nëpër shkolla, blerjen e 60 kamionëve të rinj për mbeturina, riparimin e fasadave të blloqeve banesore, parqe të reja.
“Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që ka pasur Prishtina në këta 25 vjet, sepse pas ngecjes më madhe me dekada dhe pas këtij kaosi që po jetojmë, ne më 12 tetor do të vendosim për të ardhmen tonë, do të vendosim a do të mbetet Prishtina qytet i kaosit, i premtimeve të parealizuara, apo do të jetë qytet i pastër i ndriçuar dhe me gjallëri, dhe që funksionon për secilin prej nesh… Nuk dua të shoh një Prishtinë si sot, të harruar për katër vjet nga një kryetar, i cili e la në terr e mbeturina. E vërteta është e pamohueshme në Prishtinë – Përparim Rama nuk na ka sjellë transformimin që ka premtuar, ka dështuar të përmirësojë jetën tonë të përditshme dhe të menaxhojë problemet ditore të kryeqytetit. Këtë e thotë gjendja e secilës lagje të Prishtinës – katër vjet pa realizuar asnjë projekt madhor që ka premtuar”, ka thënë ai.
Kosova më 12 tetor voton në zgjedhjet e rregullta për kryetarë të komunave dhe asamblistë të kuvendeve komunale.