PDK-ja kërkon dorëheqjen e Rekës: Ideja për hapjen e korridorit për Serbinë, gabim politik
Partia Demokratike e Kosovës gjatë një konference për media ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Integrimeve Evropiane, Blerim Reka.
Lajme
Migjen Kelmendi, anëtar i kryesisë së PDK-së, ka thënë Reka duhet të japë dorëheqje për hapjen e temës për korridorin për dalje në Durrës të Serbisë.
Sipas PDK-së me një veprim të tillë Reka dhe Qeveria Kurti zgjidhjen e dialogut po e shohin me hapjen e korridoreve.
“Gjatë gjithë kësaj kohe PDK u përpoq parimore, fer dhe të ofrojë hapësirën për fituesit e 6 tetorit që ata të kenë mundësinë të punojnë dhe të përmbushin programin e tyre. Qeveria Kurti brenda këtyre 30 ditëve mori vendime që kërkon një qëndrim të opozitës dhe vëmendjen e qytetarëve të Kosovës. Ministri i Qeverisë Kurti, Blerim Reka këto ditë gjeti guximin që të hapë një tezë anakronike siç është ajo e daljes së Serbisë në Durrës, në deti, duke na kthyer prapa në kohë”, tha Kelmeni.
Ai thotë se teza e korridorit e ka marrë një përgjigje historike, dhe tani është temë e vdekur që nga themelimi i shtetit shqiptar. Duke shtuar se ideja për hapjen e korridoreve është gabim politik i Qeverisë Kurti.
“Ky tani është një gabim i madh politik, që kërkon patjetër reflektimin e ministrit Reka. Ai, idenë e daljes në Durrës, për fatkeqësinë e tij dhe të Qeverisë Kurti, e bëri si propozim politik. Fatkeqësia e kësaj deklarate dhe rihapja e kësaj teme në esencë do të thotë me zgjedh mes territoreve dhe korridoreve. Zgjidhja sipas tij është hapja e korridoreve dhe kështu me kalu nga tema për territore në zgjidhje në hapjen e korridoreve. Më e pakta që mund të kërkohet është përgjegjësia publike dhe dorëheqjen e Rekës. Medoemos duhet me ia kërkuar përgjegjësinë z. Rekës”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka shtuar se Reka nuk ka ndonjë ndjeshmëri për vuajtjet e popullit shqiptar gjatë shekullit të kaluar.
Kujtojmë se ministri Reka ditë më parë në një emision televiziv ka thënë se në kuadër të marrëveshjes finale me Serbinë, asaj mund t’i jepet korridori transit për dalje në detin Adriatik përmes Kosovës. /Lajmi.net/