PDK i kërkon Presidentes rikthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një letre zyrtare, i ka kërkuar sot Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, rikthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. PDK-ja përmes një komunikatë për media ka bërë të ditur se vlerëson…

Lajme

22/10/2026 17:12

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një letre zyrtare, i ka kërkuar sot Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, rikthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

PDK-ja përmes një komunikatë për media ka bërë të ditur se vlerëson se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara, raporton lajmi.net

“PDK-ja është krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ajo ka marrë. Mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për çlirimtarët në Hagë mbeten përgjegjësi të panegociueshme”.

“Ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij. Rishqyrtimi synon një verifikim përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij. Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme”, thuhet në njoftim.

PDK-ja ka ftuar ekspertët që kanë shprehur gatishmëri për të kontribuuar, përfshirë Avokatin e Popullit, t’i paraqesin propozimet e tyre konkrete.

“Presim që, ashtu siç e miratuam më 6 tetor 2026, ta miratojmë sërish brenda pak javësh, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë ligj dhe që do të kontribuojnë në finalizimin e tij. Paralelisht, PDK-ja vazhdon angazhimin për një strategji të koordinuar shtetërore për apelin, sigurimin e fondeve të nevojshme dhe mbështetjen profesionale për mbrojtjen. Mbështetja për apelin dhe finalizimi i ligjit duhet të ecin së bashku”.

“Gatishmëria për ta përmirësuar ligjin nuk është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij. PDK-ja nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi assesi. Qëndrojmë prapa nismës sonë, kërkesës qytetare dhe zotimit për të mos i lënë vetëm çlirimtarët tanë”, thuhet në njoftimin e PDK-së./Lajmi.net/