Nga PDK s’kanë ende qëndrim karshi ftesës së Abdixhikut që të mblidhen për qeveri nacionale të tranzicionit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku i është përgjigjur letrës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti. Abdixhiku në një konferencë për media ka deklaruar se për të dal nga kriza ose ngërçi politik, propozohen disa opsione dhe se LDK-ja ka propozuar qeveri të tranzicionit. I pyetur nëse subjektet e tjera politike do…

Lajme

06/05/2025 15:43

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku i është përgjigjur letrës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Abdixhiku në një konferencë për media ka deklaruar se për të dal nga kriza ose ngërçi politik, propozohen disa opsione dhe se LDK-ja ka propozuar qeveri të tranzicionit.

I pyetur nëse subjektet e tjera politike do të pranojnë këtë propozim, Abdixhiku tha se nuk e di dhe se s’mund të flasë për partitë e tjera.

“Ju kam njoftuar se nuk mund të flas për partitë tjera, po flasim për Qeveri të domosdoshme për Kosovën. Me kryeministër dhe kabinet unikues. Para se të shkojmë në zgjedhje na duhet një qeveri kombëtare, pjese e secilës jemi te gjitha partitë politike shqiptare”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku ka ftuar të gjitha partitë politike shqiptare për një takim të përbashkët me qëllim formimin e institucioneve dhe ikjen nga ngërçi i krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Lajmi.net ka kontaktuar me deputeten e PDK-së Blerta Deliu Kodra për të marr një përgjigje rreth qëndrimit të PDK-së, meqë rast ajo tha se partia e tyre nuk kanë vendosur ende asgjë për për thirrjen nga pari i LDK-së.

“Nuk kemi qëndrim ende”, tha Deliu për lajmi.net.

Gjatë konferencës për media, Abdixhiku ka pohuar se Ramush Haradinaj është kryetari i parë që ka pranuar këtë ofertë.

Abdixhiku ka thënë se i ka nisur një letër edhe kreut të VV-së Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi dhe se pret përgjigje nga ta.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës është në një bllokadë, pasi partia në pushtet nuk i ka numrat për emrin e Albulena Haxhiut si kandidate për Kryetare të Kuvendit.

Të hënën ishte përpjekja e 11-të për konstituimin e Kuvendit, por edhe kësaj radhe pa sukses Nesër në ora 10:00 deputetët do të mblidhen sërish për të gjetur zgjidhjen në konstituimin e Kuvendit./Lajmi.net/