PDK e LDK luftojnë për postin e Kryeministrit

Analisti Agron Bajrami s’e përjashton mundësinë e koalicionit të madh PDK-LDK pas zgjedhjeve, në varësi të rezultati që do të korrin këto dy parti. Por, ai nuk beson se tashmë ka një marrëveshje për qeverisje PDK-LDK, si rezultat i takimit të fundit mes tyre.

Lajme

26/02/2014 12:59

Takimi i fundit mes Kryeministrit Hashim Thaçi (Kryetar i PDK’së) dhe Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, u pa si goditje fatale për iniciativën e ndërmarrë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë.

Një mocion, që sipas të gjitha gjasave, do të dështojë.

Kjo pasi në takimin e dy liderëve të partive më të mëdha në vend u ra dakord për përfundimin e shpejt të reformës zgjedhore dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në muajin qershor, një marrëveshje që muajt në vazhdim do të tregojnë nëse këto dy forca do t’i përmbahen.

Ky takim u përcoll edhe me shumë përfolje për mundësinë e arritjes së pajtimit mes dy liderëve për një bashkëqeverisje të mundshme pas zgjedhjeve nacionale, që fituesit të zgjedhjeve t’i takojë posti i Kryeministrit ndërsa partisë tjetër pozita e Presidentit, që gjithashtu thuhet si ishte pjesë e kalkulimit.

Analisti politik Agron Bajrami nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni PDK-LDK pas zgjedhjeve, varësisht nga rezultati që korrin këto dy parti. Por, ai thotë në një intevistë për lajmi.net se nuk beson se tashmë ka një marrëveshje për qeverisje PDK-LDK, si rezultat i takimit të fundit mes Thaçit e Mustafës.

“Kohët e fundit, sidomos pas zgjedhjeve të fundit lokale, forca e dy partive – PDK dhe LDK – duket të jetë e përafërt – asnjëra nuk duket se mund ti ikë shumë tjetrës, dhe të dyja luftojnë për primatin e partisë më të madhe”, thotë Kryeredaktori i Kohës Ditore për lajmi.net.

“Kjo, mendoj, i nxitë krerët e këtyre dy partive ta mendojnë seriozisht opsionin e koalicionit mes tyre, sepse në atë mënyrë, bashkë me partitë e minoriteteve, do të krijonin një qeverisje stabile që nuk rrezikohet nga votat e opozitës, sikur që është rasti tani”.

Në këtë intervistë Bajrami flet edhe për daljen e Fatmir Limajt e Jakup Krasniqi nga PDK si dhe për krijimin e partisë së re nga këta dy.

Lajmi.net: Këto ditë ka qenë mjaft aktual dhe i përfolur takimi midis Kryeministrit Hashim Thaçi e liderit të LDK’së, Isa Mustafa. Është thënë se ata kane biseduar edhe për një koalicion të mundshëm, por që po mohohet nga LDK. Sipas jush, a mund të ketë një ujdi paraprake mes Thaçit e Mustafës për koalicion dhe a mund të presim një bashkëqeverisje mes këtyre dy forcave pas zgjedhjeve?

Agron Bajrami: Përvoja nga e kaluara na tregon se mund të ketë. Megjithatë, nuk besoj se tashmë ka një marrëveshje për qeverisje PDK-LDK, por më shumë më duket se ai opsion lejohet si mundësi në kalkulimet e të dy liderëve, edhe Thaçit edhe Mustafës.

Kohët e fundit, sidomos pas zgjedhjeve të fundit lokale, forca e dy partive – PDK dhe LDK – duket të jetë e përafërt – asnjëra nuk duket se mund t’i ikë shumë tjetrës, dhe të dyja luftojnë për primatin e partisë më të madhe. Kjo, mendoj, i nxitë krerët e këtyre dy partive ta mendojnë seriozisht opsionin e koalicionit mes tyre, sepse në atë mënyrë, bashkë me partitë e minoriteteve, do të krijonin një qeverisje stabile që nuk rrezikohet nga votat e opozitës, sikur që është rasti tani.

Natyrisht, të dy partitë do të presin së pari rezultatin e zgjedhjeve, dhe ndërkohë, sidomos gjatë fushatës, nuk do mend se do ta sulmojnë njëra tjetrën me gjithë forcën që kanë.

Por, sapo të jenë kryer zgjedhjet, nëse numrat e imponojnë, do të mund të arrijnë shumë lehtë një marrëveshje koalicioni. Dhe pyetja kryesore në ato bisedime, nëse ndodhin, nuk do të jetë programi qeverisës, por çështja se kujt do ti takojë posti i kryeministrit, dhe si do kompensohet pala tjetër.

Natyrisht, që të dy partitë kanë edhe opsione tjera në mendje, dhe me siguri se edhe Thaçi edhe Mustafa do të preferonin bashkëqeverisje me një partner më të vogël, ashtu që për vete të ruajnë sa më shumë pushtet.

Prandaj, në këtë moment, duket se ka vetëm një pajtim se gjithçka është në lojë, rrjedhimisht edhe koalicioni PDK-LDK (apo anasjelltas, varësisht kush del i pari).

Lajmi.net: Si e shihni ju hartën politike dhe Qeverinë e Kosovës pas zgjedhjeve nacionale?

Agron Bajrami: Nuk jam i sigurt se mund të parashohim detajet e situatës pas zgjedhjeve. Ka shumë faktorë që mund të ndikojnë, madje edhe jashtë politikës lokale, ndërsa nuk bën të përjashtohet mundësia e një befasie zgjedhore, nëse zgjedhjet do të jenë të rregullta.

Sidoqoftë, ajo që qysh tash mund të pritet është se konteksti në të cilin do të kemi qeverinë e re nuk do të mund të ndryshojë shumë. Pra, kushdo që do të merr pushtetin, nuk do të mund t’ua përmirësojë qytetarëve të Kosovës situatën shpejtë. Proceset si dialogu do të vazhdojnë në këtë apo atë mënyrë, problemet me veriun po ashtu, ndërsa kapacitetet e administratës dhe shërbimit civil nuk do të ndërrojnë edhe nëse ndërrohet pushteti.

Si pasojë, mendoj se periudha pas zgjedhjeve do të përfshihet me presion të shtuar nga qytetarët për ndryshime radikale pozitive, të cilat unë nuk shoh se do të mund të ndodhin, kushdo që të merr qeverisjen e vendit. Andaj, ai presion do të mund të prodhoj një jostabilitet edhe më të madh se tani, edhe nëse arrihet koalicion i madh PDK-LDK.

Për këtë arsye, ndoshta, për Kosovën do të jetë më me rëndësi të shihet se çfarë fuqie do të ketë opozita e ardhshme se sa kush do të jetë në pozitë. Sepse, zhvillimi më negative që mund të kemi nuk është të përfundojmë me një pushtet të paaftë apo të papërgjegjshëm. Zhvillimi më negative do të ishte nëse përfundojmë me një opozitë tepër të dobët, të përçarë dhe jorelevante. Sikur që ka qenë rasti në shumë moment kyçe gjatë gjashtë viteve të kaluara, prej shpalljes së pavarësisë.

Lajmi.net: A besoni ju se do te respektohet marrëveshja per zgjedhje ne qershor duke pasur parasysh se deri tash nuk janë respektuar pothuajse asnjë nga marrëveshjet e arritura?

Agron Bajrami: Liderët e Kosovës nuk janë të njohur shumë për respektim të marrëveshjeve që i arrijnë. Pikërisht të njëjtit – Thaçin e Mustafa – kanë pasur një marrëveshje për reformë zgjedhore e zgjedhje të përgjithshme të cilën nuk e zbatuan.

Tani është vështirë të thuhet nëse do të respektojnë marrëveshjen që thuhet se e kanë për zgjedhje në qershor, por bazuar në përvojën, nuk do tu kisha besuar.

Lajmi.net: A prisni ndryshime te pozicioneve të forcave aktuale politike pas zgjedhjeve, duke pasur parasysh edhe ndarjen e PDK’së, përkatesisht krijimin e partisë së re nga Limaj e Krasniqi?.

Agron Bajrami: Ndryshimet e pozicioneve gjithsesi se duhet pritur, dhe ato mendoj se do të kishin ndodhur edhe nëse Limaj e Krasniqi nuk do të krijonin parti. Por sigurisht, me largimin e tyre, PDK humb një elektorat, që ende mbetet i padefinuar për kah madhësia. Zgjedhjet do ta tregojnë më saktë sa është ky elektorat, dhe sa është fuqia reale e këtij krahu të PDK-së që tani po ndahet.

Megjithatë, Limaj dhe Krasniqi kanë një garë me kohën, që nuk është në favorin e tyre. Sepse, krijimi i një strukture efektive partiake kërkon kohë dhe punë në terren, gjë që këta nuk e kanë më, dhe më duket se caku i tyre real do të jenë disa zona elektorale brenda trupit votues të PDK-së, që i kufizon ata tej mase. Prandaj, më duket se në rastin Limaj-Krasniqi, ka një vonesë të madhe, mbase edhe të pariparueshme, në krijimin e partisë politike.