PDK e konfirmon, Petrit Hajdari do të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit

Partia Demokratike e Kosovës, e ka konfirmuar se Petrit Hajdari do të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit nga kjo parti. Ky vendim i tyre ka ardhur pas një mbledhje që kanë mbajtur sot. Në lidhje me këtë, PDK kanë lëshuar një komunikatë për media ku kanë treguar kandidaturat e tyre në 31…

Lajme

27/07/2025 18:16

Partia Demokratike e Kosovës, e ka konfirmuar se Petrit Hajdari do të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit nga kjo parti.

Ky vendim i tyre ka ardhur pas një mbledhje që kanë mbajtur sot.

Në lidhje me këtë, PDK kanë lëshuar një komunikatë për media ku kanë treguar kandidaturat e tyre në 31 komunat e Kosovës.

Kandidaturat që janë miratuar nga Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës janë si vijon:
1. Prishtinë – Uran Ismaili
2. Ferizaj – Agim Aliu
3. Prizren – Shaqir Totaj
4. Mitrovicë – Arian Tahiri
5. Vushtrri – Ferit Idrizi
6. Skenderaj – Sami Lushtaku
7. Drenas – Petrit Hajdari
8. Kaçanik – Sabedin Vishi
9. Hani i Elezit – Mehmet Ballazhi
10. Gjilan – Riad Rashiti
11. Pejë – Arta Nallbani
12. Gjakovë – Ervin Shabani
13. Klinë – Sokol Bashota
14. Lipjan – Shukri Buja
15. Shtime – Përparim Ramusa
16. Dragash – Shaban Shabani
17. Malishevë – Gëzim Krasniqi
18. Rahovec – Edon Cana
19. Suharekë – Dardan Berisha
20. Podujevë – Isak Shabani
21. Fushë Kosovë – Rrahim Tërrnava
22. Kamenicë – Jona Arifi
23. Viti – Bekim Azizi
24. Istog – Ali Nimanaj
25. Deçan – Korab Mushkolaj
26. Zubin Potok – Izmir Zeqiri
27. Zveçan – Ilir Peci
28. Mitrovicë e Veriut – Flutura Hamza
29. Leposaviq – Shaqir Hetemi
30. Shtërpcë – Garip Sahiti
31. Novobërdë – Selatin Nuhiu

Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci në vazhdimësi ka pasur tone të mprehta dhe konfrontuese se nuk do të lejojë kandidaturë tjetër nga Partia Demokratike e Kosovës për të garuar në Drenas, përpos vetes.

“Nuk ka bir nane që më largon nga PDK-ja”, është një lajtmotiv që Lladrovci e ka përsëritur disa herë në një seri paraqitjesh televizive.

Lladrovci dje në një reagim në faqen e vet, pati thirrje ndaj Kryesisë së PDK-së që të reflektojnë dhe të miratojnë kandidaturën e vet.

Kryetari i Drenasit madje e quajti “të papritshme” që në rend të parë emri i tij të vendosej “në garë” për t’u shqyrtuar nga Kryesia.

“Vendosja e emrit tim në garë, për tu zgjedhur nga anëtarët e Kryesisë së PDK-së, pa marrë parasysh sukseset e komunës dhe punës së shkëlqyer të degës, nuk ishte e pritshme për qytetarët e bastionit të PDK”, shkroi ai,

“Anëtarët e Kryesisë pres të mos jenë të ndikuar nga keqbërësit. Mospjesëmarrja në votim për kandidatin për degën e Drenasit do të ishte argument se janë kundër bedelëve. Asnjë anëtarë të Kryesisë nuk e kam kontaktuar rreth votimit, sepse, pres të mos jenë pjesë e padrejtësisë”.

Për më tepër, Lladrovci i kujtoi Kryesisë së PDK-së që në rast të zgjedhjes së kandidatit tjetër, duhet të kihen parasisheh implikimet që pasojnë.

“Mos e shkelni unitetin qytetarë, të simpatizantëve dhe të anëtarësisë së degës të PDK në Drenas, pra, anëtarë të Kryesisë, mos u bëni pjesë e padrejtësisë. Nëse vendosni për kandidatin, duhet t’i keni parasysh edhe vendimet që duhet të pasojnë, si riemërimi apo emërimi i Ushtruesit të detyrës së Kryetarit të Degës, emërimi i Kryesisë së Degës deri në zgjedhjet e brendshme, të emëroni shefin e shtabit zgjedhor për zgjedhjet e 12 Tetorit, etj.

Qytetarët e komunës së Drenasit nuk e meritojnë këtë trajtim, nuk meritojnë qeverisje të bedelëve të vitit 2021 dhe 2025, të cilët tash janë sërish bashkë. Unë nuk zmbrapsem, me qytetarët do t’ua tregoj vendin dhe askush nuk mund të më largojë nga PDK!”, shkroi ai.