PDK e çon në Kushtetuese vendimin për votimin e fshehtë, kërkon ta shpallë antikushtetues

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së disa veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila u mbajt më 29 qershor, si dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025. Në kërkesën e paraqitur në emër të Grupit…

Lajme

03/07/2025 16:52

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së disa veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila u mbajt më 29 qershor, si dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.

Në kërkesën e paraqitur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, kontestohen katër veprime të cilësuara si antikushtetuese:

  1. Kërkesa për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë;

  2. Hedhja në votim e këtij Komisioni;

  3. Vetë votimi i Komisionit;

  4. Ndërprerja e seancës pas mosmiratimit të Komisionit.

Sipas PDK-së, këto veprime janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili, sipas tyre, ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit.

PDK ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që:

  • Të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë;

  • Të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive;

  • Të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur dhe transparent.

Sipas PDK-së, ky hap është thelbësor për të ndalur siç thuhet “tendencën për përmbysje të rendit demokratik” dhe për të garantuar që “asnjë shumicë e përkohshme parlamentare të mos e vë veten mbi Kushtetutën”.

Partia Demokratike e Kosovës ka përsëritur angazhimin e saj në mbrojtje të ligjshmërisë, demokracisë dhe rendit kushtetues në vend.

KOMUNIKATA E PLOTË: 

PDK dorëzon kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e shkeljeve në seancën konstituive të Kuvendit

Prishtinë, 3 korrik 2025 – Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.

Kjo kërkesë, e paraqitur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, konteston:

          1.         Kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë;

            2.         Hedhjen në votim të këtij Komisioni;

            3.         Vetë votimin e Komisionit;

            4.         Ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit.

Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën kushtetuese që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit.

Në kërkesën e dorëzuar, PDK ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që:

            •           Të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë;

         •           Të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive;

            •           Të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur dhe transparent, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare.

Ky hap është thelbësor për të ndalur tendencën për përmbysje të rendit demokratik dhe për të garantuar që asnjë shumicë e përkohshme parlamentare të mos e vë veten mbi Kushtetutën.

Partia Demokratike e Kosovës mbetet e vendosur në mbrojtje të ligjshmërisë, demokracisë dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës.

Grupi Parlamentar i PDK-së./lajmi.net/