PDK dhe AKR fillojnë përgatitjet për zgjedhjet e reja?
Partia e Hashim Thaçit dhe ajo e Behgjet Pacollit kanë arritur marrëveshje kornizë për partneritet.

Lajme
Lideri i PDK-së dhe ai i AKR-së janë pajtuar që partneritetin e tyre ta fuqizojnë edhe më shumë dhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme, që mund të mbahen për të tejkaluar ngërçin politik, të shkojnë së bashku, i “kanë thënë burime të sigurta” portalit Indeksonline.
“Duke e parë pozicionimin e partive tjera në një bllok, si dhe afërsinë programore të dy partive të cilat edhe kanë bashkëqeverisur në mandatin e kaluar, është arritur në përfundim që të kurorëzohet në parim kjo marrëveshje”, kanë thënë burimet.
Tutje thuhet se grupet punues të dy partive janë duke i harmonizuar programet në mënyrë që të dalin me strategji të përbashkët elektorale.
Ndërkaq, Indeksonline ka siguruar fotografi që kanë rrjedhur nga përgatitja e partneritetit ndërmjet PDK-së dhe AKR-së.
Këto fotografi që i ngjajnë posterëve për fushatë elektorale, paraqesin kreun e PDK-së, Hashim Thaçi, dhe atë të AKR-së, Behgjet Pacolli.
“Misioni për Punë” është motoja e këtij posteri, që është gërshetuar me motot që këto dy parti i kishin në zgjedhjet e kaluara të 8 qershorit. PDK-ja hyri në ato zgjedhje me “Misionin e Ri”, kurse AKR-ja me “Na kryejmë punë”.
Mirëpo, akoma nuk ka konfirmime dhe as mohime nga ndonjëra prej këtyre dy partive.