PDK akuza VV-së: Bandat kriminale, narkotrafikantët dhe fajdexhitë kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar ashpër pas pesë vrasjeve të rënda që kanë ndodhur në 48 orët e fundit në Kosovë. Në një konferencë për media, ai tha se ky valë krimesh është tregues i dështimit të thellë të institucioneve për të garantuar sigurinë publike. Sipas Tahirit, këto raste…

Lajme

12/08/2025 14:19

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar ashpër pas pesë vrasjeve të rënda që kanë ndodhur në 48 orët e fundit në Kosovë.

Në një konferencë për media, ai tha se ky valë krimesh është tregues i dështimit të thellë të institucioneve për të garantuar sigurinë publike.

Sipas Tahirit, këto raste vijnë pas një serie vrasjesh në komuna të ndryshme të vendit dhe tregojnë se krimi po lulëzon, ndërsa shteti po dështon të mbrojë jetën e qytetarëve, transmeton lajmi.net

“Rastet tronditëse të pesë vrasjeve të rënda në 48 orët e fundit, pas një serie tjetër të vrasjeve që ndodhën nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, janë pasqyra më e qartë e dështimit të plotë të shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve,” tha Tahiri.

Ai theksoi se Kosova po kalon një krizë serioze të sigurisë, e cila, sipas tij, është thelluar nga lidhjet mes krimit dhe pushtetit aktual.

“Bandat kriminale, narkotrafikantët, fajdexhitë, janë bërë të guximshëm dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin, duke u bërë pjesë e një zinxhiri të rrezikshëm që tashmë ka lidhur krimin me politikën dhe institucione të tjera ligjzbatuese,” deklaroi ai.

PDK, sipas Tahirit, u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave dhe kërkoi veprim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse për të ndalur këtë spirale të rrezikshme të dhunës.

Në konferencë, Tahiri përmendi tri raste konkrete që, sipas tij, faktojnë lidhjet mes pushtetit dhe krimit të organizuar:

“15 gusht 2023 – Besnik Mujeci, asamblist i Vetëvendosjes në Prishtinë, arrestohet në Shqipëri për trafikim dhe shitje të narkotikëve. U kap me 11,300 tableta ekstazi MDMA, peshë mbi 5 kilogramë, vlerë rreth 400 mijë euro.

3 qershor 2025 – Një operacion i gjerë antidrogë çon në arrestimin e 22 personave. Mes tyre, Shemsi Bahtiri, anëtar aktiv i Vetëvendosjes në Qendrën e Prishtinës, një nga figurat kyçe të një rrjeti të trafikut të drogës ku u sekuestruan qindra mijëra euro para të gatshme e të falsifikuara, armë, llogari bankare, automjete luksoze dhe lëndë narkotike.

10 gusht 2025 – Gjilani tronditet nga një vrasje e trefishtë. Autori, Mefail Shkodra, i njohur për veprat e shumta penale, shihet i pranishëm në ahengjet e partisë në pushtet,” tha ai.

Tahiri theksoi se shpresa për kthimin e rendit dhe sigurisë mund të vijë vetëm nga një qeveri e re, që ka vullnet të pastër për të çkapur shtetin nga ndikimi i krimit.

“Vetëm një qeveri e re, e vendosur, mund ta çkapë shtetin nga krimi, t’i çojë para drejtësisë të gjithë ata që kanë gjak në duar e pasuri nga droga dhe korrupsioni, dhe do ta rikthejë rendin, sigurinë dhe ligjin mbi të gjithë.”

Ai shtoi se çkapja e shtetit duhet të jetë një mision kombëtar, për të ndalur përhapjen e krimit dhe për të rikthyer sigurinë në çdo lagje dhe komunë të vendit.

“Duhet të jetë misioni i secilit prej nesh, çkapja e shtetit nga bandat kriminale që sot po terrorizojnë shoqërinë tonë. Rritja e numrit të armëve pa leje në duart e qytetarëve tanë, është e frikshme. Sot, aktualisht kemi rreth 250 mijë armë janë pa leje në vendin tonë.”

Në përmbyllje, Tahiri paralajmëroi se PDK do të ndërmarrë hapa konkretë ligjorë në legjislaturën e ardhshme, për të luftuar në mënyrë më të ashpër armëmbajtjen pa leje.

“Si PDK, në legjislaturën e re, pas konsolidimit të institucioneve dhe qeverisë së re, do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal dhe legjislacionit përkatës për të ashpërsuar dënimet për armëmbajtjen pa leje. Kushdo që posedon apo përdorë armë ilegalisht, duhet të përballet me burg, pa përjashtim. Kosova nuk mund të jetë një vend ku jeta njerëzore humb vlerën. Dhe, jo, kjo nuk është vetëm një betejë politike. Është një betejë për jetën, për paqen, për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e vendit,” përfundoi ai./lajmi.net/