Pavarësisht masës së Kushtetueses, Vetëvendosje paralajmëron emërimin e mandatarit për qeveri

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke ndaluar çdo veprim të deputetëve deri më 30 shtator. Pavarësisht këtij vendimi, të dielën është paralajmëruar se Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku pritet të zyrtarizohet emri i mandatarit për formimin e qeverisë. Deputeti i VV-së,…

Lajme

06/09/2025 10:46

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke ndaluar çdo veprim të deputetëve deri më 30 shtator.

Pavarësisht këtij vendimi, të dielën është paralajmëruar se Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku pritet të zyrtarizohet emri i mandatarit për formimin e qeverisë.

Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, ka theksuar se mbledhja do të zhvillohet, pasi subjekti e konsideron se Kuvendi tashmë është në fazën përfundimtare të konstituimit.

Rexhaj tha se do ta emërojnë edhe mandatarin, shefin e partisë, Albin Kurti.

“Sigurisht që do ta mbajmë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, sepse ai është Këshilli i LVV-së i subjektit tonë politik. Ne konsiderojmë që tashmë jemi në fazën e fundit të konstituimit të Kuvendit dhe natyrisht do ta emërojmë mandatarin tonë, pra Albin Kurtin. Ku pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi ta lexojmë atë ne do ta dërgojmë emrin e Kurtit te presidentja për të filluar fazat e Kuvendit të Kosovës, ku na nevojitën 61 vota për ta votuar qeverinë e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai në Tëvë1.

Ndërkaq, për dallim nga Rexhaj, zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, në një deklaratë dje para se të dilte vendimi i Gjykatës Kushtetuese për masën e përkohshme, tha se Kuvendi është konstituuar.

“Kuvendi është konstituuar, por ne ende nuk kemi një qeveri të re të dalë nga ky kuvend, përkatësisht legjislatura e nëntë e Kuvendit. Neni 30 i Ligji për Qeveri e thotë qartë se Qeveria në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj, në përputhje me kufizimet e përcaktuara me po këtë ligji, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga ana e Kuvendit. Sa i përket rastit të znj. Haxhiu dhe znj. Rexhepi, ato janë liruar nga detyra në kabinetin qeveritar pasi të njëjtat janë zgjedhur nga kuvendi në pozitat e nënkryetarëve të Kuvendit dhe kanë detyra dhe përgjegjësi të reja”, tha Kryeziu për RTV21.