“Patriotizëm” kundër prodhimeve serbe apo vetëdijesim për produktet vendore!

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, thotë se bojkotimin e produkteve serbe në Kosovë po e kërkojnë ata “patriotët”, që sipas tij, sheshin patriotizëm folklorik në emër të produkteve kosovare.

Lajme

05/01/2015 08:28

Gërxhaliu ka thënë për “Zërin” se janë vetë shqiptarët ata të cilat ende nuk janë të vetëdijësuar që të mos i përdorin produktet serbe.

E sipas tij, në Serbi ndodh e kundërta. Qytetarët e këtij shteti thuajse fare nuk konsumojnë prodhime kosovare.

Sikur nesër të ndodhë ndonjë tragjedi elementare në Serbi dhe Këshilli i Sigurimit t’i blejë të gjitha produktet “Made in Kosova”, dhe t’i dërgojë për ndihma në Serbi, për hir të dozës së nacionalizmit ekonomik që posedojnë qytetarët e Serbisë, ata jo vetëm se nuk do t’i konsumojnë këto produkte, por nuk do t’ua qesin as derrave, vetëm pse janë të Kosovës”.

Sipas Gërxhaliut, shteti duhet të krijojë kampanja vetëdijësuese për konsumimin e produkteve vendore e jo serbe.

“Çka është më shqetësuese, bojkotin dhe termin për bojkot, e përdorin më së shumti ata që paradite pinë kafe në Beograd dhe shesin demokraci evropiane dhe pasdite kthehen në Kosovë dhe shesin patriotizëm folklorik apo pseudopatriotizëm në emër të produkteve kosovare”.

“Mu ata janë të cilët ndërmjetësojnë më së shumti për të vërshuar Kosovën me produkte serbe”, ka thënë Gërxhaliu.