Patate e mbushur me perime dhe e rreshkur në gjalpë

15:50 | 12 Maj 2019

Patatja është pa diskutim një nga produktet më të përdoruara gjatë vitit.

Pjatat që ju rekomandojmë janë super të thjeshta, të shijshme dhe në harmoni të plotë me ngjyrat e tryezës.

Përbërësit për 4 persona: 2 patate mesatare 2 kërpudha. 2 copa lulelakër kripë, piper dhe vaj ulliri.

Përgatitja: Patatet, pasi i kemi larë, i ziejmë në ujë me kripë me gjithë lëkurë. I presim përgjysmë për së gjati dhe ua boshatisim mesin me ndihmën e një thike.

Në një tigan me gjalpë të nxehur, skuqim kërpudhat e prera hollë.

Kur ato të kenë marrë ngjyrë, shtojmë lulelakrën e zier dhe pasi i skuqim për 2-3 minuta së bashku, i kalojmë në mikser ku shtojmë kripë e piper sipas dëshirës. Me masën e përgatitur mbushim patatet dhe i pjekim në 200 gradë për 20-30 minuta.

Patate e rreshkur në gjalpë: 2 patate, gjalpë, kripë e piper.

Përgatitja: Patatet i ziejmë me gjithë lëkurë në ujë me kripë. I qërojmë dhe i presim në kubikë. Në një tigan shkrijmë gjalpë dhe e lëmë të nxehet. Kur të jetë nxehur mirë, skuqim patatet ngadalë derisa të marrin ngjyrë të kuqërremtë. I rregullojmë me kripë e pipër. Kur patatet të jenë gati, i shërbejmë sipas dëshirës. /Living/