Pasuri prej 8 miliardë eurosh në mbetjet e Trepçës

Metalet që gjenden në mbetjet industriale të Trepçës, të grumbulluara ndër dekada në deponi nëpër Kosovë, mund të vlejnë mbi tetë miliardë euro. Këtë e tregon një raport i përgatitur me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë. Sipas raportit, rreth 60 milionë…

Lajme

10/11/2026 13:12

Metalet që gjenden në mbetjet industriale të Trepçës, të grumbulluara ndër dekada në deponi nëpër Kosovë, mund të vlejnë mbi tetë miliardë euro.

Këtë e tregon një raport i përgatitur me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë.

Sipas raportit, rreth 60 milionë tonë mbetje përmbajnë plumb, zink, argjend dhe ar – metale që nuk janë nxjerrë plotësisht gjatë përpunimit të xeheve.

Miniera me flotacion në Kishnicë.
Miniera me flotacion në Kishnicë.

Vlera e tyre përllogaritet në mbi 8.4 miliardë euro.

Megjithatë, kjo nuk është shuma që kompleksi minerar, Trepça, mund ta përfitojë domosdoshmërisht nga shfrytëzimi i tyre.

Teknologjitë moderne mundësojnë rikuperimin e një pjese të metaleve, por ende nuk dihet se sa prej tyre mund të nxirren nga këto mbetje, sa do të kushtonte procesi dhe nëse një investim i tillë do të ishte ekonomikisht i leverdishëm.

Ndërkohë, miliona tonë mbetje vazhdojnë të grumbullohen në deponi, disa prej të cilave pranë zonave të banuara, duke paraqitur edhe rreziqe të mundshme për mjedisin.

Çfarë zbulon raporti?

Raporti, i titulluar “Vlerësimi dhe analiza strategjike e 12 deponive të mbetjeve industriale të Trepçës”, shqyrton përbërjen minerale, potencialin ekonomik dhe ndikimet mjedisore të mbetjeve të kombinatit.

Mbetjet industriale në Badoc.
Mbetjet industriale në Badoc.

Ai është përgatitur vitin e kaluar me mbështetjen e UNDP-së, me kërkesë të Trepçës, në kuadër të Fondit të Ekselencës – një mekanizëm i Qeverisë së Kosovës, i menaxhuar nga UNDP-ja.

Sipas menaxhmentit të Trepçës, studimi mbështetet në të dhënat e ndërmarrjes dhe në analizat e laboratorëve vendorë e ndërkombëtarë.

Një faqe e raportit “Vlerësimi dhe analiza strategjike e 12 deponive të mbetjeve industriale të Trepçës”.

Edhe UNDP-ja konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se e ka mbështetur ndërmarrjen në vlerësimin e potencialit ekonomik dhe ndikimeve mjedisore të deponive, ndërsa për hollësi rreth përmbajtjes së raportit e drejtoi REL-in te përfaqësuesit e Trepçës.

Nga 12 lokacionet e përfshira në raport, deponia në Graçanicë ka vlerën më të madhe të përllogaritur të metaleve – mbi 3.6 miliardë euro.

Ajo shtrihet në më shumë se 46 hektarë dhe përmban rreth 16 milionë tonë mbetje.

Pas saj renditet deponia në Zhitkovc të Zveçanit, me vlerë të përllogaritur prej mbi 1.3 miliard eurosh.

Vlerësime prej qindra miliona eurosh janë bërë edhe për deponi të tjera në Mitrovicë, Artanë, Leposaviq dhe Zveçan.

Vetëm në katër prej deponive të analizuara, raporti vlerëson se gjenden rreth 77 mijë tonë plumb, 102 mijë tonë zink, 325 kilogramë argjend dhe 29 kilogramë ar.

Këto shifra tregojnë sasitë e përllogaritura të metaleve që gjenden në mbetje, por jo domosdoshmërisht sasitë që mund të rikuperohen dhe të shiten.

Raporti mbi të cilin bazohen këto vlerësime nuk është bërë publik nga Trepça, por përfaqësuesit e ndërmarrjes japin sqarime për gjetjet e tij.

Hysni Beqiri, udhëheqës i Njësisë Biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë, thotë se vlera e metaleve është përllogaritur bazuar në çmimet e tyre në bursat ndërkombëtare, gjatë vitit të kaluar.

Hysni Beqiri.
Hysni Beqiri.

“Çdo metal ka vlerën e vet, e cila përcaktohet në bazë të bursave ndërkombëtare. Këto çmime ndryshojnë çdo ditë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Për të përcaktuar përfitimin e mundshëm ekonomik, nga vlera e metaleve duhet të merren parasysh edhe humbjet gjatë rikuperimit, investimet në teknologji dhe kostot e përpunimit e të mbrojtjes së mjedisit.

 

 

 

 

 

 

 

 

Si përfunduan metalet me vlerë në deponi?

Përgjigjja lidhet me mënyrën se si janë përpunuar xehet në Trepçë ndër dekada.

Kombinati që nga viti 2016 funksionon si shoqëri aksionare, me 80 për qind të aksioneve në pronësi të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind në pronësi të punëtorëve.

Xehet e nxjerra nga miniera e Stantërgut, afër Mitrovicës së Jugut, përpunohen në flotacionin e Tunelit të Parë, ndërsa ato të minierës së Artanës, në komunën e Novobërdës, dërgohen në flotacionin e Kishnicës, në Graçanicë.

Pamje nga deponia e Trepçës në Kelmend, Mitrovicë e Jugut.
Pamje nga deponia e Trepçës në Kelmend, Mitrovicë e Jugut.

Në këto objekte, xehet përpunohen për të ndarë mineralet me vlerë nga pjesa tjetër e materialit të nxjerrë nga toka. Ky proces quhet flotim.

Megjithatë, jo të gjitha metalet arrijnë të ndahen. Një pjesë mbetet në materialin që transportohet përmes gypave drejt deponive. Këto mbetje njihen si sterile të flotacionit.

Sipas Beqirit, teknologjia e vjetruar ka ndikuar në uljen e efikasitetit të përpunimit, duke bërë që një pjesë e konsiderueshme e metaleve të përfundojë në deponi.

Materiali i mbetur nga përpunimi i xeheve duke u shkarkuar përmes një gypi në deponinë e Badocit.
Materiali i mbetur nga përpunimi i xeheve duke u shkarkuar përmes një gypi në deponinë e Badocit.

“Me kalimin e kohës, flotacionet tona janë vjetërsuar dhe shkalla e shfrytëzimit të tyre ka rënë. Aktualisht, ne e kemi 65 deri në 75 koeficientin e shfrytëzimit. Deri në 30 për qind e metaleve nuk mund të shfrytëzohen në flotacionet tona”, thotë ai.

Problemet me teknologjinë dhe humbjet gjatë përpunimit janë evidentuar edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Në një raport të publikuar në dhjetor të vitit 2022, kjo zyrë ka konstatuar se Trepça ka operuar me humbje mesatare mujore prej rreth 620 mijë eurosh gjatë periudhës 2019-2021.

Pjesë e raportit.
Pjesë e raportit.

Sipas auditorëve, teknologjia dhe infrastruktura e vjetruar, mungesa e investimeve kapitale dhe mosstandardizimi i proceseve të punës kanë ndikuar në produktivitetin e ulët dhe në humbjet e metaleve gjatë përpunimit.

Kështu, një pjesë e metaleve që nuk janë shfrytëzuar gjatë prodhimit, ka përfunduar në deponi.

Raporti përshkruan 12 lokacione të mbetjeve industriale të Trepçës, disa prej të cilave vazhdojnë të përdoren, ndërsa të tjerat janë jashtë funksionit.

Mbetje në deponinë e Badocit.
Mbetje në deponinë e Badocit.

Deponitë aktive përfshijnë ato në Badoc, Mitrovicë dhe Leposaviq. Si të braktisura përshkruhen deponi të tjera në Artanë, Mitrovicë e Graçanicë, si dhe në lokacione të tjera në Leposaviq e Zveçan.

Përmbajtja e metaleve ndryshon nga një deponi në tjetrën.

Sipas analizave kimike të përfshira në raportin e përgatitur me mbështetjen e UNDP-së, mostrat e mbetjeve nga deponia e Artanës, të analizuara gjatë viteve 2007-2009, tregojnë përmbajtje prej rreth 7.8 kilogramësh plumb, 9.8 kilogramësh zink, 40 gramësh argjend dhe 1.64 gramësh ar për ton.

Këto rezultate pasqyrojnë mostrat e analizuara dhe nuk mund të përgjithësohen automatikisht për gjithë sasinë e mbetjeve.

Ndërkohë, në deponinë e Badocit, afër flotacionit të Kishnicës, mbetjet vazhdojnë të grumbullohen.

Deponia e braktisur në Graçanicë.
Deponia e braktisur në Graçanicë.

Gjatë një vizite në mesin e tetorit, Radio Evropa e Lirë pa se si materiali i mbetur nga përpunimi i xeheve transportohej përmes gypave nëntokësorë drejt deponisë, ku pranohej nga një punëtor.

Në këtë hapësirë prej 8.3 hektarësh janë grumbulluar rreth 2.6 milionë tonë mbetje.

Sipas raportit, ato përmbajnë mbi 16 mijë tonë plumb, afro 23 mijë tonë zink, 65.3 kilogramë argjend dhe 3.7 kilogramë ar.

Si mund të përfitojë Kosova nga mbetjet e Trepçës?

Për Gani Osmanin, kryepunëtor në minierën e Stantërgut, me 45 vjet përvojë pune, mbetjet industriale paraqesin një mundësi ekonomike që Kosova nuk duhet ta lërë të pashfrytëzuar.

Ai thotë se teknologjitë moderne mundësojnë rikuperimin e një pjese më të madhe të metaleve që kanë mbetur në deponi.

Gani Osmani.
Gani Osmani.

Një mundësi, sipas tij, është shitja e mbetjeve te kompanitë e specializuara, ndonëse vlerëson se përpunimi brenda Kosovës do të ishte më i favorshëm, pasi do të krijonte më shumë vlerë ekonomike në vend.

Edhe profesori i xehetarisë në Fakultetin e Gjeoshkencave të Universitetit të Mitrovicës, Kemajl Zeqiri, thotë se zhvillimi i teknologjisë ka krijuar mundësi të reja për rikuperimin e metaleve nga mbetjet industriale.

Sipas tij, përveç ndërtimit të linjave të reja për ripërpunimin e mbetjeve, mund të modernizohen edhe flotacionet ekzistuese.

Kemajl Zeqiri.
Kemajl Zeqiri.

“Përveç ndërtimit të një linje të re, mund të modernizohen edhe flotacionet ekzistuese, në mënyrë që mbetjet të ripërpunohen aty. Megjithatë, kjo nuk mund të bëhet me teknologjinë aktuale. Nevojiten investime në flotacione, partneritete me kompani me renome dhe teknologji e re”, thotë Zeqiri për Radion Evropa e Lirë.

Raporti i përgatitur me mbështetjen e UNDP-së thekson se gjatë 15 vjetëve të fundit, teknologjitë e përpunimit dhe ripërpunimit të xeheve kanë përparuar ndjeshëm, duke mundësuar shkallë rikuperimi mbi 90 për qind.

Por, kjo nuk do të thotë se rezultate të tilla mund të arrihen edhe me mbetjet e Trepçës.

Beqiri thotë se hapi i ardhshëm duhet të jetë faza e dytë e studimit të fizibilitetit, e cila do të përfshinte marrjen e mostrave, analizat në laboratorë të akredituar dhe identifikimin e teknologjisë më të përshtatshme.

Mbetje metalesh në deponinë në Kelmend.
Mbetje metalesh në deponinë në Kelmend.

Aktualisht, sipas tij, nuk dihet se sa do të kushtonte ndërtimi i një linje të veçantë për ripërpunimin e mbetjeve.

“Përveç studimit në aspektin kimik dhe ekonomik, duhet të bëhet edhe analiza për ndërtimin e linjës dhe koston e saj. Nuk e dimë ende se sa mund të jetë kostoja e linjës së përpunimit, por pavarësisht se sa është kostoja, ia vlen, sepse vlerësimi prej tetë miliardë eurosh është sa dyfishi i buxhetit të Kosovës”, thotë Beqiri.

Përveç kostos së teknologjisë, një vendim për shfrytëzimin e mbetjeve do të duhej të merrte parasysh edhe shpenzimet e energjisë, transportit, përpunimit dhe mbrojtjes së mjedisit.

Një tjetër çështje është nëse mbetjet duhet të shiten apo të përpunohen brenda vendit.

Deponia e mbetjeve te metaleve në Kelmend, Mitrovicë e Jugut.
Deponia e mbetjeve te metaleve në Kelmend, Mitrovicë e Jugut.

Raporti rekomandon që në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme të shqyrtohet shitja dhe eksporti i tyre, ndërsa të ardhurat të riinvestohen në rehabilitimin mjedisor dhe modernizimin e teknologjisë.

Në planin afatgjatë, sugjerohet ripërpunimi i përzgjedhur i mbetjeve për rikuperimin e metaleve.

Shitja te kompanitë e specializuara mund të shmangë nevojën për investime të mëdha fillestare, ndërsa përpunimi brenda Kosovës mund të krijojë më shumë vlerë ekonomike, por kërkon kapital, teknologji dhe kapacitete profesionale.

Pa një vlerësim të plotë të kostove dhe përfitimeve, mbetet e paqartë se cila mundësi do të ishte më e leverdishme.

Një pasuri e mundshme, por edhe rrezik për mjedisin

Deponitë industriale të Trepçës nuk paraqesin vetëm një mundësi ekonomike. Për shkak të përmbajtjes së metaleve të rënda, ato mund të jenë edhe burim i ndotjes së tokës, ujit dhe ajrit.

Shqetësimet për ndikimin e tyre në mjedis janë ngritur prej vitesh.

Pamje nga deponia në Kelmend.
Pamje nga deponia në Kelmend.

Që në vitin 2013, UNDP-ja ka mbështetur një konferencë për problemin e mbetjeve industriale të Trepçës. Institucionet pjesëmarrëse janë pajtuar të krijonin një grup pune për të përcaktuar ndërhyrjet prioritare dhe një strategji afatshkurtër e afatgjatë për trajtimin e tyre.

Profesori Kemajl Zeqiri paralajmëron se ndotja nga metalet e rënda mund të ndikojë edhe në shëndetin e banorëve.

Raporti i siguruar nga REL-i rekomandon që përparësi në trajtimin e mbetjeve t’u jepet deponive pranë zonave të banuara dhe ekosistemeve të ndjeshme.

Deponia në Badoc.
Deponia në Badoc.

Sipas tij, të ardhurat e mundshme nga shfrytëzimi i metaleve mund të përdoren edhe për rehabilitimin e këtyre zonave dhe modernizimin e teknologjisë.

Megjithatë, ripërpunimi do të kërkonte masa të posaçme për mbrojtjen e mjedisit, përfshirë trajtimin e materialeve që do të mbeteshin pas rikuperimit të metaleve.

Kjo do të thotë se përfitimi i mundshëm ekonomik duhet të vlerësohet së bashku me koston e rehabilitimit dhe të menaxhimit të mbetjeve.

Çfarë planesh ka Kosova?

Pavarësisht potencialit ekonomik të identifikuar në raport, ende nuk ka të dhëna të qarta për një projekt konkret për shfrytëzimin e mbetjeve industriale të Trepçës.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Ekonomisë nëse kanë plane për zvogëlimin e sasisë së këtyre mbetjeve apo për rikuperimin e metaleve që ato përmbajnë.

Të dyja institucionet e drejtuan REL-in te menaxhmenti i Trepçës.

Deponia e mbetjeve, në Badoc.
Deponia e mbetjeve, në Badoc.

Përfaqësuesit e ndërmarrjes thonë se para çdo vendimi për investime, duhet të përfundojë faza e dytë e studimit të fizibilitetit.

Ajo do të duhej të përcaktonte se cilat deponi kanë potencialin më të madh ekonomik, çfarë teknologjie mund të përdoret dhe sa do të kushtonte ripërpunimi.

Raporti vlerëson se shfrytëzimi i mbetjeve mund të krijojë të ardhura, të tërheqë investime dhe të kontribuojë në zhvillimin e industrisë minerare e metalurgjike, ndonëse nuk është përcaktuar ende se sa prej këtij potenciali mund të shndërrohet në përfitim ekonomik.