“Pastrimi”: Komuna e Prishtinës ka negociuar marrëveshje me kompani private për pastrim
Kompania Rajonale “Pastrimi” Sh.A. ka dalë me një reagim publik në lidhje me situatën e krijuar nga mosmarrëveshja mes tyre dhe Komunës së Prishtinës. Në këtë reagim, kompania thotë se “është thellësisht shqetësuese” qasja e Kryeqytetit ndaj ndërmarrjes publike, për të cilën thotë se është në pronësi të saj, teksa shton se komuna i ka…

Lajme
Kompania Rajonale “Pastrimi” Sh.A. ka dalë me një reagim publik në lidhje me situatën e krijuar nga mosmarrëveshja mes tyre dhe Komunës së Prishtinës.
Në këtë reagim, kompania thotë se “është thellësisht shqetësuese” qasja e Kryeqytetit ndaj ndërmarrjes publike, për të cilën thotë se është në pronësi të saj, teksa shton se komuna i ka borxh atyre, të cilin po refuzon t’ua paguajë.
“…edhe përkundër ftesave të shumta për takim dhe përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, kryetari i Komunës, z. Përparim Rama, dhe Drejtori i Shërbimeve Publike, z. Bekim Bestrovci, kanë zgjedhur të injorojnë ndërmarrjen publike dhe të negociojnë në mënyrë të njëanshme me operatorë privatë”.
Thonë se komuna tashmë ka negociuar me kompani private që ato ta kryejnë shërbimin, marrëveshje e cila, sipas KRM “Pastrimi”, kap vlerën e 2 milionë eurove.
“Sipas deklarimeve e fundit të bëra vetë nga komuna tashmë është negociuar një marrëveshje me një ose dy kompani private në vlerë 2 milion euro, ndërkohë që automjetet dhe resurset e KRM Pastrimi mbesin të papërdorura si pasojë e dëmeve financiare duke mos paguar vetë e as duke mos lejuar të na paguhen shërbimet!! Këto veprime të komunës duhet të zgjojnë reagimin e të gjitha institucioneve të drejtësisë”, thotë kjo kompani.
Kjo qasje, sipas “Pastrimit”, jo vetëm që dëmton rëndë ndërmarrjen publike dhe punëtorët, por është një shenjë alarmante e shpërfilljes së interesit publik dhe transparencës në menaxhimin e shërbimeve komunale, e mbi të gjitha po rrezikojnë seriozisht shëndetin publik.
Kompania tha se mbetet e përkushtuar për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët e Prishtinës, teksa kërkojnë që të gjitha vendimet që prekin sektorin e pastrimit të merren në mënyrë të hapur, të drejtë dhe në përputhje me përgjegjësinë institucionale ndaj qytetarëve dhe ndaj ndërmarrjes publike.
KRM “Pastrimi” kërkoi takim urgjent me autoritetet komunale për të adresuar këtë situatë “dhe për të siguruar që resurset publike të menaxhohen me kujdes dhe përgjegjësi”.
“Ne siç kemi qenë gjithmonë edhe sot, nesër, pasnesër e kurdo jemi në dispozicion për takim. Andaj reflektoni në këtë drejtim! Mos na pamundësoni shërbimin, na lejoni t’ju shërbejmë qytetarëve”, tha Kompania Rajonale “Pastrimi” Sh.A.