Pasqyra sportive e Prishtinës

Isa Mustafa prezantoi sot para sportistëve projektin e tij për ndërtimin e Stadiumit dhe Pishinës Olimpike në Prishtinë. Ai tha se Plani Zhvillimor Urban parasheh që në pjesën veriore të Prishtinës të ndërtohet një stadium olimpik, sipas standardeve të FIFA’s

Lajme

21/10/2013 14:18

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa, ka shpalosur para sportistëve, në një takim të mbajtur në Sallën e Kuqe, projektin e tij për ndërtimin Stadiumit të ri në kryeqytet.

Mustafa tha se Plani Zhvillimor Urban parasheh që në pjesën veriore të Prishtinës të ndërtohet një stadium olimpik, sipas standardeve të FIFA’s, ndërsa premtoi se të gjitha lagjet e Prishtinës do të bëhen me terrene sportive.

“Ne planifikojmë ndërtimin e një stadiumi të futbollit në pjesën veriore të qytetit, në partneritet publik-privat. Ky do të jetë një investim i cili arrin shumën 10 deri 20 milionë euro, i cili do t’i respektojë të gjitha standardet e FIFA’s dhe të UEFA’s”.

“Plani Zhvillimor Urban i ka identifikuar dhe përcaktuar hapësirat në qytet dhe nëpër fshatra në të cilat komuna do t’i ndërtojmë qendrat rekreative-sportive”.

“Në Prishtinë kemi 100 mijë të universitetit publik dhe të atyre private, si dhe 50 mijë nxënës të shkollave të mesme dhe atyre fillore, të cilëve duhet siguruar terrene sportive dhe rekreative”.

“Pjesa veriore e qytetet sipas Planit rregullues do të përdoret për ndërtimin e terreneve sportive, por qendra sportive do të ndërtohen edhe në fshatrat e Prishtinës në drejtim të Podujevës dhe në zonën e Gollakut, në të cilën lartësia mbidetare është mbi njëmijë metra”.

Mustafa tha se në mandatin e shkuar janë subvencionuar klubet sportive, në vlerë prej 400 mijë eurosh dhe kjo përkrahje financiare do të rritet në të ardhmen.

“Në Prishtinë kemi 125 klube të sportit të cilat janë të evidentuara, prej tyre 107 janë zyrtare, veprojnë dhe komunikojnë me ne rregullisht, pastaj 13 klube të femrave, gjë që na gëzon fakti. Kemi bërë investime në fushën e sportit, më shumë se përpara”.

“I kemi kryer disa investime emergjente në fushën e sportit, rinisë dhe rekreacionit. 42 fusha të sportit i kemi ndërtuar në qytet, deri në fund të vitit pritet të ndërtohen edhe 5 fusha sportive, në mënyrë që të rrumbullakësohet investimi ynë në këtë segment”.

“Ne këtë mandat do ta përfundojmë me 47 fusha të sportit të ndërtuara. Kemi edhe 16 fusha sportive të cilat i kemi ndërtuar në oborret e shkollave dhe gjithsej gjatë këtij mandati i bie se i kemi ndërtuar mbi 60 fusha sportive”.

Ai ka potencuar se janë ndërtuar edhe 10 salla të edukatës fizike në shkolla të ndryshme të Prishtinës, ndërsa edhe 5 salla tjera që do t’i ndërtohen në mandatin e ardhshëm, do t’i plotësojnë nevojat e shkollave për salla të edukatës fizike.

“Gërmia do të bëhet me pishinë olimpike, sepse i kemi siguruar mjetet për vitin e ardhshëm. Aktualisht ne po e rinovojmë Pishinën e Gërmisë me një investim shumë të madh, në mënyrë që të sigurohemi se do t’i ruajmë jetët e njerëzve”.

“Si rezultat i investimeve, Pishina e Gërmisë do të ketë mundësi të shfrytëzimit multifuksional, sepse gjatë dimrit do të përdoret për patinazh. Ne do të investojmë edhe në panoramën e Bjeshkatarisë në Gërmi”.