Pasiguri, frikë, besim: Çfarë thonë serbët për jetën e tyre në Kosovë?
Çdo vit, organizata joqeveritare Aktiv publikon një raport me qëndrimet e komunitetit serb në Kosovë, pjesëtarët e të cilit i pyet për kushtet e jetesës, frikat dhe shpresat e tyre. Ja çfarë thanë pjesëtarët e këtij komuniteti në raportin e fundit, të publikuar sot. Pesë vjet më parë, pothuajse gjysma e serbëve që jetojnë në…

Lajme
Çdo vit, organizata joqeveritare Aktiv publikon një raport me qëndrimet e komunitetit serb në Kosovë, pjesëtarët e të cilit i pyet për kushtet e jetesës, frikat dhe shpresat e tyre. Ja çfarë thanë pjesëtarët e këtij komuniteti në raportin e fundit, të publikuar sot.
Pesë vjet më parë, pothuajse gjysma e serbëve që jetojnë në Kosovë kishin thënë se prisnin që jeta e tyre të përkeqësohej në vitet e ardshme. Raporti i fundit tregon se ky numër është rritur edhe më shumë tani.
Kjo ka bërë që gati një e treta e të anketuarve – gjithsej 503 serbë u përfshinë në hulumtimin e sivjetmë – të thonë se do të largoheshin nga Kosova nëse do të kishin mundësi, ndërsa një e pesta të deklarojnë se nuk e shohin fare të ardhmen e tyre në Kosovë.
“Ky është një tregues dëshpërues”, tha Miodrag Milliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës Aktiv, gjatë prezantimit të raportit, më 30 prill, në Prishtinë.
Më shumë skepticizëm vërehet në mesin e të anketuarve që vijnë nga komunat e banuara me shumicë serbe në veri, në krahasim me ata që jetojnë në komunat në jug të lumit Ibër.

Në tre vjetët e fundit, veriu i Kosovës – i banuar kryesisht nga popullatë serbe – është përballur me tensione, për shkak të përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për të vendosur kontroll në këtë pjesë.
Tensionet kulmuan në shtator të vitit 2023, me një sulm të armatosur në Banjskë nga një grup serbësh, të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, atëherë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, me mbështetje nga Beogradi. Në këtë sulm u vra një polic i Kosovës dhe tre nga sulmuesit serbë.
Në raportin e sivjetmë, Aktiv thekson se presioni nga Qeveria e Kosovës – si ndalimi i përdorimit të dinarit serb dhe mbyllja e institucioneve që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë – ka pasoja negative afatgjata për marrëdhëniet ndëretnike dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve.
“Në vend të komunikimit dhe bashkëpunimit, kemi – dhe do të kemi – pasiguri dhe mosbesim”, thuhet në raport.
Por, si në jug, si në veri, serbët shprehen të shqetësuar edhe për gjendjen e tyre financiare.

Ndikim të keq në gjendjen financiare të tyre thuhet të ketë pasur ndalimi i përdorimit të dinarit serb për pagesa në Kosovë, që hyri në fuqi më 1 shkurt të vitit të kaluar, bazuar në Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës.