Pasi u gjuajt me vezë Avdullah Hoti, AAK-ja kërkon tryeza për taksën

Grupi Parlamentar i AAK-së, të hënën do të organizojë tryezë lidhur me taksën 100 për qind, për prodhimet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Lajme

23/02/2020 17:34

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga AAK-ja.

“Pjesëmarrës në këtë tryezë përveç deputetëve dhe përfaqësueseve të Aleancës, do të jenë të gjitha grupet e interesit. Si prodhuesit, importuesit, tregtarët me shumicë e pakicë, përfaqësues të OJQ-ve dhe ekspertë të fushës”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj të dielën ka porositur kreun aktual të qeverisë Albin Kurtin që mos të dorëzohet përballë presionit për heqjen e taksës që Haradinaj e kishte vendosur ndaj produkteve serbe.

Haradinaj i ka thënë Kurtit që taksën ta heq veç nëse Kosovën Serbia e njeh si shtet të pavarur dhe sovran.

“Kosova nuk ka asnjë garancë se heqja e taksës 100% për produktet e Serbisë e sjellë Marrëveshjen Finale për njohjen reciproke në kufijtë ekzistues”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndërkohë sipas tij, sot, Serbia vazhdon të armatoset nga Rusia me pajisjet me të reja ushtarake, ndërsa Qeveria Kurti premton heqjen e taksës duke siguruar pushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia.