Pasi u demantuan nga KFOR-i, ministria e Maqedoncit iu sulet portaleve, i akuzon se po mundohen ta zbehin organizimin e “Defender Europe 2025”

Ditë më parë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci doli me një deklarim se “70 për qind e ushtrisë serbe gjendet afër kufirit me Kosovën”. Për të njëjtën temë kur ka folur gjatë kësaj jave edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ku ka pretenduar se rritja e pranisë…

Lajme

31/05/2025 20:48

Ditë më parë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci doli me një deklarim se “70 për qind e ushtrisë serbe gjendet afër kufirit me Kosovën”.

Për të njëjtën temë kur ka folur gjatë kësaj jave edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ku ka pretenduar se rritja e pranisë së forcave serbe në kufi me Kosovën ka ndodhur si reaksion ndaj ushtrimit “Defender Europe” që po mbahet edhe në Kosovë.

Sot, KFOR në një përgjigje për gazetën Express ka demantuar këto pretendime të Kurtit e Maqedoncit, shkruan lajmi.net

“KFOR-i vazhdon të jetë i pranishëm dhe të monitorojë aktivitetet përgjatë Vijës Kufitare Administrative (ABL), në përputhje me mandatin e tij të OKB-së, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i nuk ka vërejtur dhe as nuk është njoftuar për ndryshime të rëndësishme të kohëve të fundit në praninë e Forcave të Armatosura Serbe në Vijën Kufitare Administrative”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

E, ky demantim duket se nuk i ka pëlqyer shumë ministrisë së Mbrojtjes që përmes një postimi në Facebook i ka sulmuar mediat.

“Pavarësisht tentativave të portaleve të tilla që të largojnë vëmendjen dhe të zbehin rëndësinë e organizimit të Defender Europe 2025 në Kosovë, ushtrimi është duke u realizuar.”, shkruhet ndër të tjera në reagimin e ministrisë.

Reagimi i plotë:

Reagim
Një tjetër lajm i rremë nga portali “Nacionale” që teksa mundohet të demantoj ministrin Maqedonci realisht e vërteton atë që është thënë nga Ministri, vendosja e 3 nga 4 brigadat e kombinuara të ushtrisë në jug të territorit serb jo larg kufirit me Republikën e Kosovës nuk është bërë sot, pra nuk kanë ndodhur ndryshime domethënëse përsa i përket pozicionimit të tyre, pikërisht në këto pika ka vite që janë të vendosur , dhe kjo përbën shqetësim, qasja agresore e Serbisë që nuk ka ndryshuar.
Më detajisht në linkun në vijim ju ftoj të lexoni në shpjegimin narrativ nga ministri Maqedonci:
Pavarësisht tentativave të portaleve të tilla që të largojnë vëmendjen dhe të zbehin rëndësinë e organizimit të Defender Europe 2025 në Kosovë, ushtrimi është duke u realizuar./lajmi.net/