“Pasat 2015” konfiskon 175 vetura pa dokumente

Policia e Kosovës ka konfiskuar 175 vetura të çmontuara, pa dokumentacion përkatës dhe të cilat ishin të gatshme për shitje.

Lajme

22/05/2015 14:41

Operacioni i policisë “Pasat 2015” që është zhvilluar në rajonin e Mitrovicës nuk ka rezultuar me ndonjë të arrestuar, ndërsa veturat janë konfiskuar nën dyshimin për shmangie doganore.

“Ky plan operativ është zbatuar përmes kontrollit në disa lokacione të ndryshme, ku kryesisht ushtrohet veprimtari e shitblerjes së automjeteve dhe pjesëve të tyre. Ky kontroll i lokacioneve ka rezultuar me identifikimin e 175 veturave të çmontuara, dokumentacioni i të cilave nuk figuron në sistemin e rregullt të obligimeve doganore”, thuhet në komunikatën e policisë.

Të gjitha këto vetura të identifikuara dyshohet të jenë importuar nga shtetet evropiane, ndërsa i gjithë dokumentacioni i tyre të hasura tek personat në posedim u është dorëzuar autoriteteve doganore për procedurë të mëtejme.

Hetuesit policorë me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë do të vazhdojnë hetimet drejt verifikimit të prejardhjes së këtyre veturave, statusi i tyre, shtetet prej nga kanë ardhur, verifikim ky që sipas policisë do bëhet si në nivel lokal edhe në atë ndërkombëtar përmes ILECU- t në Prishtinë. ( lajmi.net )