Pasardhësi i Khameneit pritet të shpallet, teksa sulmet shënjestrojnë depo nafte në Teheran
Udhëheqësit e Republikës Islamike të Iranit kanë zhvilluar një votim lidhur me atë se kush do ta zëvendësojë Ajatollah Ali Khamenein si udhëheqës suprem dhe pritej të shpallnin pasardhësin, tha një zyrtar. Ajatollah Alam al-Hoda, një klerik i lartë në Asamblenë e Ekspertëve të Iranit, u citua më 8 mars nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve…
Bota
Udhëheqësit e Republikës Islamike të Iranit kanë zhvilluar një votim lidhur me atë se kush do ta zëvendësojë Ajatollah Ali Khamenein si udhëheqës suprem dhe pritej të shpallnin pasardhësin, tha një zyrtar.
Ajatollah Alam al-Hoda, një klerik i lartë në Asamblenë e Ekspertëve të Iranit, u citua më 8 mars nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr të ketë thënë: “Zgjedhjet për udhëheqjen janë mbajtur dhe udhëheqësi është emëruar”.
Khamenei u vra në një sulm ajror SHBA-Izrael më 28 shkurt, në ditën e parë të luftës që është përhapur në gjithë rajonin gjatë javës së kaluar.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kryen sulme të reja ajrore ndaj infrastrukturës strategjike në dhe rreth Teheranit më 8 mars, përfshirë depo nafte dhe objekte të rafinimit, ndërsa forcat izraelite zgjeruan gjithashtu operacionet e tyre përtej Iranit.
Zjarre të mëdha u raportuan në disa vende të magazinimit të karburantit në Teheran, duke dërguar re të dendura tymi mbi pjesë të kryeqytetit. Zyrtarët iranianë konfirmuan se disa rafineri të naftës u dëmtuan, megjithëse ekipet emergjente arritën të vinin nën kontroll disa nga zjarret.
Sulme izraelite u raportuan edhe ndaj objektivave të lidhura me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit në Bejrut dhe në jug të Libanit, ku disa persona u vranë.
Zyrtarët izraelitë thanë se fushata ushtarake do të vazhdojë dhe paralajmëruan se edhe ata që janë të përfshirë në përzgjedhjen e udhëheqjes së ardhshme të Iranit mund të bëhen objektiva.
Pasi presidenti iranian, Masud Pezeshkian, tha se dëshironte të “kërkonte personalisht falje nga vendet fqinje” që ishin goditur nga raketat dhe dronët iranianë, shefi i sigurisë kombëtare Ali Larijani dhe të tjerë më 7 mars reaguan me tone sfiduese, ndërsa Teherani goditi sërish aleatët arabë të SHBA-së në rajon.
Veçmas, media shtetërore iraniane në mbrëmjen e vonë të 7 marsit citoi klerikun ultrakonservator Ajatollah Hossein Mozafari, anëtar i Asamblesë së Ekspertëve — e cila do të zgjedhë sundimtarin e ardhshëm të vendit — të ketë thënë se ky organ mund të mblidhet brenda 24 orëve të ardhshme për të marrë një vendim.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sinjalizoi se nuk është i interesuar për negociata të mëtejshme me Iranin pas disa raundeve bisedimesh që nuk sollën përparim.
“Në një moment, mendoj se ndoshta nuk do të mbetet askush për të thënë: ‘Ne dorëzohemi’”, tha Trump./rel