“Pas zgjedhjeve do të bëhen bashkë prapë”, Haliti dyshon për marrëveshje Kurti-Osmani

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka shprehur dyshimet se mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe bartëses së listës zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, mund të ketë një marrëveshje për bashkëpunim pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Haliti në “Intervista Zgjedhore”, të KosovaPress, tha se…

Lajme

24/05/2026 15:26

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka shprehur dyshimet se mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe bartëses së listës zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, mund të ketë një marrëveshje për bashkëpunim pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Haliti në “Intervista Zgjedhore”, të KosovaPress, tha se debatet dhe akuzat e fundit në mes Kurtit dhe Osmanit nuk i duken bindëse, duke shtuar se ato mund të jenë pjesë e një strategjie të përbashkët elektorale.

Sipas tij, qëllimi mund të jetë që fokusi i fushatës të mbetet te përplasjet mes tyre, duke i lënë partitë e tjera në margjina të debatit politik.

“Shiko, ata e kanë zgjedhur vetë Vjosën për me udhëheq fushatën. Vjosa e ka përçarë një herë LDK-në. Tash është kthyer me u bashku. Në qoftë se mundet me u bashku, dhe në qoftë se munden me fitu votat, është çështje e tyre. Por unë po shoh edhe një fushatë, më shumë debat në mes VV-së edhe ish-presidentes… Më shumë, unë po shoh debate të pabesueshme. Me akuza që nuk i besoj unë, as s’i beson as qytetari. Dhe ndoshta unë mund të dyshoj që mund të ketë edhe marrëveshje për me e zhvilluar një fushatë të tillë dhe me i lënë të tjerët në margjina të debateve politike… Dhe ndoshta e kanë edhe marrëveshje që pas zgjedhjeve me u bërë bashkë prapë”, deklaroi Haliti.

Ai foli edhe për skenarët paszgjedhorë, duke thënë se Partia Demokratike e Kosovës synon t’i fitojë zgjedhjet, por paralajmëroi se mund të ketë bllokadë në procesin e konstituimit të institucioneve, veçanërisht te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Haliti shtoi se partia e tij nuk ka vendosur “vija të kuqe” për bashkëqeverisje, duke theksuar se negociatat do të varen nga rezultati zgjedhor dhe programet politike.

“Qëllimi i Partisë Demokratike është të bëjë fushatë dhe t’i fitojë zgjedhjet. Pas zgjedhjeve, po mendoj, do të shohim se kush është i pari. Kush është i pari që ka me propozu kandidatin për kryetar të Kuvendit. Tani ekziston mundësia që kjo të krijojë një bllokadë të re edhe për kryetarin e Kuvendit. Dhe për mos me u kriju bllokadë e re, duhet me fillu negociatat…. Partia Demokratike nuk ka vendosur vija të kuqe për bashkëqeverisje. Interesi politik, programi i përbashkët i miratuar dhe jo vetëm ndarja e pushtetit, krijon një mundësi për të qeverisur me Kosovën”, tha ai.

Duke folur për çështjen e presidentit të ardhshëm, Haliti u shpreh se vendi ka nevojë për një figurë që qëndron mbi palët dhe nuk shërben si “patericë” politike.

“Tani unë mendoj që edhe Albini edhe partitë e tjera e dinë se kush mund ta bëjë një detyrë të tillë. Kush mund ta kryejë, kush është i gatshëm dhe kush do të jetë president dhe jo patericë. Prandaj presidenti duhet të jetë president i Kosovës. Normalisht që duhet të bashkëpunojë patjetër me qeverinë, duhet të bashkëpunojë me institucionet e tjera dhe duhet të qëndrojë mbi palët në variantin e mirëfunksionimit të shtetit. Oferta e Albinit ka qenë e ngjashme si me luajt llotari. Sillet ti, jo ti, jo i bëjmë, e bëjmë ne presidentin, i votojmë. Ne e kemi ditur të gjithë se ai s’mundet me na mbivotu, sepse s’i ka pasur gjithë ato vota, se s’kemi pasur të dyja palët, mbasi janë bashkuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk i keni pasur votat”, shtoi ai.

Ai komentoi edhe videon e publikuar së fundmi, ku shihej duke ngrënë pasul në një gjelltore në Pejë, duke thënë se vizita kishte qenë spontanem derisa ka mohuar se bëhej fjalë për imitimin e stilit të Kurtit.

“Po ne shkuam spontanisht aty, ishim në një përvjetor të të rënëve në Qyshk. Pastaj shkuam në gjelltoren që e patë edhe ju, dhe u doli interesante. E regjistroi ai gazetari që e shoqëronte Enverin dhe e nxorrën në Facebook. Shumë e mirë është… S’ma merr mendja që ka qenë kopjim i zotit Kurti, unë ha pasul tërë herë. Ta mendoni, s’është problem me ngrënë grosh, sepse është ushqim tradicional i Ballkanit, kisha me thënë, mos ta marrë veç i shqiptarëve. Dhe si ushqim, mendoj që edhe nga ajo që i kam dëgjuar edhe nutricistët, është shumë i mirë, të paktën një herë në javë me ngrënë”, përfundon ai