Pas vendimit të Supremes, NPB-ja fton mediat në konferencë
Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) do të mbajë sot konferencë për media, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës për kthimin në rigjykim të kontestit gjyqësor që lidhet me ndërmarrjen dhe tri kompani private. Sipas njoftimit të dërguar mediave, konferenca do të mbahet më 16 tetor, nga ora 15:30, në zyrat e Ndërmarrjes Publike Banesore. Në…
Lajme
Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) do të mbajë sot konferencë për media, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës për kthimin në rigjykim të kontestit gjyqësor që lidhet me ndërmarrjen dhe tri kompani private.
Sipas njoftimit të dërguar mediave, konferenca do të mbahet më 16 tetor, nga ora 15:30, në zyrat e Ndërmarrjes Publike Banesore. Në njoftim nuk janë dhënë detaje të tjera rreth përmbajtjes së adresimit, transmeton lajmi.net.
Vendimi i Gjykatës Supreme, i bërë publik sot, ka të bëjë me kontestin ndërmjet NPB-së dhe kompanive “Made Group Construction”, “Arkos” dhe “Madekos”, ku palë ndërhyrëse është edhe Komuna e Prishtinës.
Gjykata Supreme ka aprovuar si të bazuara revizionet e paraqitura nga palët dhe ka prishur aktgjykimet e Gjykatës Komerciale të shkallës së parë dhe të dytë, duke e kthyer çështjen për rigjykim.
Sipas arsyetimit të publikuar, Supremja ka konstatuar shkelje thelbësore të procedurës kontestimore dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, duke vlerësuar se gjendja faktike nuk ishte vërtetuar plotësisht dhe drejt.
Kontesti që lidhet me 32.5 milionë euro
Rasti ka të bëjë me një kontest për përmbushjen e kontratës ose kompensimin e dëmit material, përfshirë fitimin e humbur. Më herët, Gjykata Komerciale e kishte obliguar NPB-në t’u paguante tri kompanive gjithsej 32.5 milionë euro në emër të fitimit të humbur, lidhur me një kontratë bashkëinvestimi të vitit 2021 që nuk ishte realizuar.
Për shkak të procedurës përmbarimore që lidhej me këtë rast, llogaritë bankare të ndërmarrjes ishin bllokuar, situatë që kishte ngritur shqetësime edhe për funksionimin e saj dhe pagesën e punëtorëve.
Me kthimin e çështjes në rigjykim, kontesti do të shqyrtohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, e cila duhet t’i marrë parasysh udhëzimet e Gjykatës Supreme.
Konferenca e paralajmëruar për orën 15:30 pritet të japë më shumë sqarime nga NPB-ja lidhur me vendimin dhe hapat e mëtejshëm të ndërmarrjes. /Lajmi.net/