Pas sa vitesh “krekosje” se nuk iu lë shej trysnia, Dimal Basha thotë se tani kanë trysni nga ndërkombëtarët për formim institucionesh

Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës Dimal Basha mbajti sot një konferencë për media, pasi dështoi që të zhvillohet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Basha qartësoi mungesën e kuorumit e foli edhe për mos-konstituimin e kuvendit si shkak i “ngecjes” tek nënkryetari i komunitetit serb. Përpos kësaj, Dimal Basha pranoi edhe një fakt që…

Lajme

01/09/2025 14:20

Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës Dimal Basha mbajti sot një konferencë për media, pasi dështoi që të zhvillohet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.

Basha qartësoi mungesën e kuorumit e foli edhe për mos-konstituimin e kuvendit si shkak i “ngecjes” tek nënkryetari i komunitetit serb.

Përpos kësaj, Dimal Basha pranoi edhe një fakt që s’e kishte pranuar më parë, që në fakt Basha, por edhe të gjithë drejtuesit e vendit ndikohen nga trysnia e ndërkombëtarëve.

Basha tha se një nga arsyet pse e ka konstituuar kuvendin ka qenë edhe trysnia nga miqtë ndërkombëtarë që kuvendi të vazhdojë punën.

Sipas tij, atë ditë kur ka konstituuar kuvendin ka vlerësuar se nuk duhet bllokuar shteti për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari.

Basha gjithashtu tha se ka kuorum të mjaftueshëm për të pasur një Kuvend funksional.

“S’ka logjikë të bllokohet Kuvendi i Republikës për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari. I kemi pesë anëtarë në Kryesi. Të vazhdojë rrjedhja e afatit për caktimin e mandatarit dhe të kemi institucione funksionale siç na presin qytetarët. Kemi edhe trysni dhe kërkesa nga miqtë ndërkombëtarët që të vazhdojë puna e Kuvendit”, ka thënë ai.

Ai theksoi se ka përgjegjësi para qytetarëve, institucioneve e para miqve ndërkombëtarë që të funksionalizojë kuvendin.

Por Dimal Basha ndër vite është thirrur në atë se Vetëvendosje e Qeveria Kurti assesi nuk i nënshtrohen trysnisë së aleatëve ndërkombëtarë.

E sipas tij, madje Vetëvendosje as nuk lejon t’u bëhet trysni.

Në një postim të tij ndër të tjerash ai thoshte se “nuk mundemi me e kthy Radojiciqin duke u thirr në emër të Amerikës.

“Ju nuk i bëni nder as me ia përmend emrin Amerikës, aq më pak m’u thirr në vlera të tyre! Për fund, më treguan që mercenarët po ulurojnë me kthy Kosovën në vitin 2019, dmth pe kërkojnë një Kosovë pa Albinin, por me Radojçiçin shef në veri. Kjo ka qenë Kosova e 2019-së që po e kërkojnë! Të njejtën kërkesë e ka Serbia – një Kosovë pa Albinin e me Radojçićin – mirëpo ajo gjendje nuk kthehet as në ëndrrat tuaja, sepse ky popull nuk mashtrohet më! Nuk mundeni me kthy Radojçiçin duke u thirr n’emër të Amerikës. Kush do me kthy Kosovën në vitin 2019-tën me Radojçiçin shef në veri, mundet m’u rreshtu pas tij veç në Serbi, se n’Kosovë më s’ka vend më, së paku me Albinin jo!”, ka shkruar Basha ndër të tjera./Lajmi.net/