Pas reagimeve nga Serbia, flet Kurti: Kosova është vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar për aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Lajme

12/05/2022 16:51

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë e Ligj, shkruan lajmi.net.

Sipas Kurtit, anëtarësimi në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Postimi i plotë:

KOSOVA APLIKON PËR ANËTARËSIM NË KËSHILLIN E EVROPËS

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam nismën për anëtarësimin e Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, ndërkaq pak kohë më pas dorëzuam edhe aplikimin për anëtarësim.

Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Liria e shprehjes dhe medies çdo herë e më shumë po shënon përmirësim. Luftimi i korrupsionit është i pakompromis. Reforma në sundimin e ligjit prioritet.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. /Lajmi.net/