Pas pesë vitesh në Kosovë, Rohde largohet me një pasim simbolik, ia kalon topin pasardhësit të tij, Rainer Rudolph
Pas pesë vitesh shërbim diplomatik në Prishtinë, ambasadori gjerman Jörn Rohde po e përmbyll mandatin e tij në Kosovë. Në një video lamtumire, ai shprehu mirënjohje për kohën e kaluar në vend, duke theksuar se Kosova dhe njerëzit e saj do t’i mungojnë thellësisht, transmeton lajmi.net. “Pas pesë vitesh këtu, duhet të them lamtumirë –…

Lajme
Pas pesë vitesh shërbim diplomatik në Prishtinë, ambasadori gjerman Jörn Rohde po e përmbyll mandatin e tij në Kosovë.
Në një video lamtumire, ai shprehu mirënjohje për kohën e kaluar në vend, duke theksuar se Kosova dhe njerëzit e saj do t’i mungojnë thellësisht, transmeton lajmi.net.
“Pas pesë vitesh këtu, duhet të them lamtumirë – dhe do të më mungojë Kosova. Jo vetëm moti, por edhe mirësjellja e njerëzve, ecjet në male… Kur shikoj majtas drejt Parkut të Gërmisë, ku shpesh përdor biçikletën time malore, më vijnë ndër mend shumë kujtime të mira,” tha Rohde.
Ambasadori përmendi disa nga arritjet kryesore gjatë mandatit të tij, përfshirë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, i cili hyri në fuqi në vitin 2024. Megjithatë, ai shprehu keqardhje që Kosova ende nuk ka arritur të anëtarësohet në Këshillin e Europës.
“Kemi parë shumë zhvillime. Liberalizimi i vizave ishte një arritje e madhe. Por ka edhe gjëra që nuk janë realizuar, si anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës,” u shpreh Rohde, duke shtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të veçanta, për shkak të komunitetit të madh kosovar në Gjermani.
“Rreth 600 mijë kosovarë ose gjermanë me prejardhje kosovare jetojnë në Gjermani – dhe ky numër po rritet. Jam i sigurt se lidhjet tona do të thellohen edhe më shumë në të ardhmen. Gjermania ka qenë dhe do të mbetet një partner i madh i Kosovës,” tha ai.
Në përfundim, Rohde u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të mirëpresin pasardhësin e tij, Rainer Rudolph, me të njëjtën miqësi dhe mirëpritje që ai ka përjetuar gjatë këtyre pesë viteve.
Një pasionant i futbollit, Rohde përfundoi mesazhin e tij me një gjest simbolik: “Dhe, për të qëndruar në gjuhën e futbollit – unë së shpejti do t’ia kaloj topin pasardhësit tim, Rainer Rudolph”./lajmi.net/
Thank you for five wonderful years and don’t forget to keep the ball rolling.
— Ambassador Jörn Rohde (@pristina.diplo.de) September 26, 2025 at 9:42 AM