Pas përfundimit të votave me postë, nis numërimi i votave me kusht dhe për personat me nevoja të veçanta
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se më 5 janar 2026, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Kështu…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se më 5 janar 2026, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Kështu ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili ka thënë se janë evidentuar mbi 9,900 votues të regjistruar për votim me kusht në 57 vendvotime në 38 komuna, ndërsa 2,860 persona janë regjistruar për votim si persona me nevoja të veçanta
“Mund t’iu konfirmoj se sonte (e hënë, 5 janar 2026, ora 20:00) në QNR ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860”.
Ndërkohë, në QNR po vazhdon vlerësimi dhe verifikimi i pakove me fletëvotime të tërhequra më datë 2 janar nga kutitë postare të ndryshme jashtë Kosovës — në qytete si Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë. Nga këto zona janë tërhequr 8,180 pako me fletëvotime, të cilat janë sjellë në Kosovë dhe do të i nënshtrohen procedurave të verifikimit para numërimit.
“Në ndërkohë, në QNR është duke u bërë vlerësimi dhe verifikimi i pakove me fletëvotime nga tërheqjet e realizuara më 2 janar nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, Neë York, Kanbera dhe Kopenhagë, nga ku janë tërhequr 8,180 pako të tjera me fletëvotime, të cilat gjatë ditës së hënë, më 5 janar, janë sjellur në Kosovë. Pas vlerësimit dhe verifikimit, KQZ do të numëroj fletëvotimet e aprovuara. Gjithashtu, KQZ ka përmbyllur procesin e tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës. Më 5 janar, nga 13 kutitë postare, në: Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11,867 pako me fletëvotime, të cilat, pasi të arrijnë në Kosovë do t’i nënshtrohen procedurave të njëjta, para numërimit”, ka thënë Elezi.
KQZ ka njoftuar gjithashtu se ka përmbyllur procesin e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare jashtë Kosovës, më 5 janar nga 13 vende të huaja dhe Prishtina janë tërhequr gjithsej 11,867 pako me fletëvotime, të cilat, sapo të përpunohen, do të verifikohen para numërimit.
Zëdhënësi Elezi ka theksuar se të gjitha pakot me fletëvotime do të trajtohen sipas procedurave të rregullta, me qëllim të garantimit të integritetit të procesit zgjedhor dhe të sigurohet që çdo votë e vlefshme të përfshihet në rezultatet përfundimtare.
Ky hap shënon një fazë tjetër të rëndësishme në procesin e numërimit të votave, i cili përfshin tashmë edhe votat me postë, me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, ndërsa KQZ pret që numërimi i të gjitha votave të përfundojë gjatë kësaj jave. /Lajmi.net/