Pas paralajmërimeve, komuna e Fushë Kosovës nis aksionin për lirimin e hapësirave publike

Komuna e Fushë Kosovës ka nisur sot një aksion për lirimin e hapësirave publike, duke i rrënuar objektet që janë ndërtuar pa leje. Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Inspektoratit në këtë komunë, Donat Zharku. “Po sot është duke ndodhur lirimi i hapësirave publike. Pavarësisht njoftimeve paraprake, një pjesë e bizneseve nuk kanë liruar hapësirat…

Lajme

22/07/2025 12:59

Komuna e Fushë Kosovës ka nisur sot një aksion për lirimin e hapësirave publike, duke i rrënuar objektet që janë ndërtuar pa leje.

Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Inspektoratit në këtë komunë, Donat Zharku.

“Po sot është duke ndodhur lirimi i hapësirave publike. Pavarësisht njoftimeve paraprake, një pjesë e bizneseve nuk kanë liruar hapësirat publike ndonëse janë informuar me kohë përmes procesverbaleve dhe vendimeve zyrtare”, ka thënë Zharku.

Ai ka shtuar se aksioni ka filluar në rrugën “Hajrulla Zymi”, ndërsa në ditët në vijim do të vazhdojnë edhe me rrugët e tjera të qytetit.

“Qëllimi i këtij veprimi është kthimi i hapësirave publike për qytetarët dhe respektimi i rregullave komunale. Ky aksion do të përfshijë të gjithë territorin e qytetit të Fushë Kosovës dhe do të zhvillohet me mbështetjen e institucioneve relevante deri në përfundimin e tij të plotë”, tha Zharku.

Ndërkaq më 15 maj, Komuna e Fushë Kosovës kishte lëshuar një urdhëresë për lirimin e sipërfaqeve publike nga objektet e përkohshme në territorin e kësaj komune.

“Urdhërohen të gjithë personat fizik dhe juridik që brenda afatit prej 30 ditësh kalendarike nga dita e shpalljes së kësaj urdhërese në faqen zyrtare të Komunës t’i lirojnë sipërfaqet e cekura në pikën 1 të kësaj urdhërese”, thuhej në urdhëresë.