Pas mbylljes së qumështores “Vita”, VV shpërndan fjalët e Kurtit: Më shumë kontrolle ushqimore, më pak nevojë për trajtime në spitale

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar duke theksuar rëndësinë e sigurisë ushqimore, pas vendimit për mbylljen e qumështores “Vita”. Ai ka thënë se për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve duhet të rriten analizat e ushqimeve që konsumohen, duke shtuar se sa më shumë kontrolle të ketë në këtë drejtim, aq më pak nevojë do…

Lajme

03/07/2026 13:26

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar duke theksuar rëndësinë e sigurisë ushqimore, pas vendimit për mbylljen e qumështores “Vita”.

Ai ka thënë se për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve duhet të rriten analizat e ushqimeve që konsumohen, duke shtuar se sa më shumë kontrolle të ketë në këtë drejtim, aq më pak nevojë do të ketë për trajtime shëndetësore në spitale.

“Siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve. Që të bëjmë sa më pak, mundësisht aspak analiza pacientësh në spitale është e nevojshme të kemi sa më shumë, gjithnjë e më shumë analiza ushqimesh që na servohen. Prandaj, do t’ju mbështesim për standardizim e certifikim. Cilësia dhe ligjshmëria janë hovi i ardhshëm i shtimit të eksportëve, i zevendësimit te importeve dhe i konkurrueshmërisë evropiane. Suksesi i fermerërvë, prodhuesve dhe sipërmarrësve tanë është edhe suksesi i Republikës së Kosovës”, theksoi ai.

Kurti ka deklaruar se Qeveria do të mbështesë proceset e standardizimit dhe certifikimit të prodhimeve vendore, duke theksuar se kjo është e domosdoshme për rritjen e cilësisë, ligjshmërisë dhe konkurrueshmërisë së produkteve kosovare në tregjet evropiane./Lajmi.net/