Pas letrës së BE-së, përgjigjet Qalaj: Zhvillimi procedural i mbledhjes konstituive u udhëhoq nga kërkesat ligjore që rregullojnë kuorumin

Pas letrës që të hënën Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, i ka dërguar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, duke shprehur shqetësim serioz që përbërja e re e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) nuk e ka marrë mandatin në mbledhjen konstituive të mbajtur më 20 janar 2026, Qalaj…

Lajme

28/01/2026 10:59

Pas letrës që të hënën Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, i ka dërguar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, duke shprehur shqetësim serioz që përbërja e re e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) nuk e ka marrë mandatin në mbledhjen konstituive të mbajtur më 20 janar 2026, Qalaj i është përgjigjur ambasadorit Orav, duke thënë se zhvillimi procedural i mbledhjes konstituive u udhëhoq nga kërkesat ligjore që rregullojnë kuorumin, votimin dhe vendimmarrjen formale.

Në këtë letër, Qalaj thotë se çështja e certifikimit është në procedura gjyqësore të cilat, siç thotë ai, i kanë respektuar. Përveç kësaj, ai theksoi se mbetet i përkushtuar ndaj reformës në KPK, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në letrën drejtuar ambasadorit Orav, Qalaj ka thënë se të gjitha veprimet e ndërmarra deri më tani duke u bazuar në kapacitetin e tij institucional, janë udhëhequr rreptësisht nga korniza ligjore dhe procedurale në fuqi.

“Në kapacitetin tim institucional, dëshiroj të ritheksoj se të gjitha veprimet e ndërmarra deri më tani janë udhëhequr rreptësishtë nga korniza ligjore dhe procedurale në fuqi, si dhe nga kompetencat e qarta dhe të kufizuara të përcaktuara për Kryeprokurorin e Shtetit në detyrë gjatë fazës konstituive të Këshillit Prokurorial të Kosovës”, tha ai në letër.

Përveç kësaj, Qalaj tha se qasja e tij ka qenë e orientuar drejt sigurimit të ligjshmërisë procedurale, stabilitetit institucional dhe mbrojtjes së kredibilitetit të Këshillit.

“Qasja ime ka qenë vazhdimisht e orientuar drejt sigurimit të ligjshmërisë procedurale, stabilitetit institucional dhe mbrojtjes së kredibilitetit të Këshillit. Sa i përket mbledhjes konstituive të Këshillit, zhvillimi procedural është udhëhequr nga kërkesat ligjore që rregullojnë kuorumin, votimin dhe vendimmarrjen formale”, ka thënë ai.

U.d Kryeprokurori i Shtetit po ashtu ka thënë se vendimet institucionale të tyre janë marrë nga Këshilli si organ kolegjial dhe se roli i tij ka qenë strikt procedural.

“Roli im ka qenë strikt procedural, me qëllim që të sigurohet se procesi është zhvilluar në përputhje me ligjin dhe se vendimet institucionale janë marrë ekskluzivisht nga Këshilli si organ kolegjial. Lidhur me trajtimin e propozimeve shtesë gjatë mbledhjes së parë të Këshillit, përfshirë edhe çështjen e certifikimit, është ndjekur një qasje procedurale transparente, duke mundësuar paraqitjen dhe shqyrtimin e propozimit brenda forumit kolegjial, ndërkohë që autoriteti për vendimmarrjen përfundimtare i është lënë plotësisht Këshillit, në përputhje me rregullat përkatëse procedurale”, ka thënë ai.

Qalaj ka thënë se e konsideron obligim institucional të theksojë se disa nga pritshmëritë e reflektuara në letrën e Orav, përkojnë me qëndrime të artikuluara më herët nga një segment i anëtarëve të Këshillit.

Sipas Qalajt, anëtarët në fjalë, nga pikëpamja procedurale dhe ligjore, nuk janë në përputhje me natyrën konstituive të kësaj faze, që në këtë stad, theksi dhe renditja e veprimeve institucionale, ai thotë se janë të përcaktuara qartë nga korniza ligjore dhe rregullative të aplikueshme dhe nuk lejojnë shqyrtimin e çështjeve që nuk lidhen drejtpërdrejt me procesin e konstituimit institucional.

“Për këtë arsye, qasja ime është udhëhequr ekskluzivisht nga obligimi për të respektuar këto kufij ligjorë dhe procedurale”, ka thënë ai.

Ai shtoi se çështja e certifikimit mbetet objekt i procedurave gjyqësore, e për të cilën çështje ka një masë të sigurisë.

“Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të theksohet se çështja e certifikimit aktualisht mbetet objekt i procedurave gjyqësore në vazhdim, lidhur me të cilën është vendosur një masë e përkohshme sigurie nga gjykata kompetente. Për më tepër, rregullorja që rregullon procedurën për zgjedhjen e anëtarit prokurorial të Këshillit është gjithashtu objekt i një shqyrtimi të veçantë gjyqësor. Në këtë kontekst institucional, respektimi i procedurave gjyqësore dhe ushtrimi i kujdesit të duhur ligjor kanë qenë domosdoshmërisht pjesë integrale e qasjes së ndjekur. E pranoj plotësisht dhe ndaj theksimin tuaj mbi domosdoshmërinë e ndërmarrjes së masave institucionale për të siguruar funksionimin e rregullt të Këshillit”, ka thënë ai.

Qalaj ka thënë se qasja e tij ka qenë mbrojtja e vazhdimësisë institucionale, sigurisë juridike dhe koherencës institucionale, duke mbetur i hapur për koordinim dhe bashkëpunim konstruktiv me partnerët ndërkombëtarë. Ai theksoi se mbetet i përkushtuar ndaj procesit të reformës brenda KPK-së.

“Mbetem plotësisht i përkushtuar ndaj procesit të reformës brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe avancimit të standardeve të transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes institucionale, në përputhje me praktikat më të mira evropiane dhe objektivat e përbashkëta strategjike. E vlerësoj mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe mbetem i hapur për dialog institucional të strukturuar dhe bashkëpunim të mëtejmë, në interes të forcimit të funksionalitetit, kredibilitetit dhe stabilitetit të sistemit prokurorial”, tha ai në letrën e tij.

Ndryshe, ambasadori Orav i kishte dërguar më 26 janar një letër Qalajt, duke e quajtur zhgënjyes faktin se përbërja e re e KPK-së ka dështuar që ta marrë mandatin në mbledhjen konstituive të mbajtur më 20 janar 2026.

Në atë letër, BE-ja thekson se dështimi për të konstituuar Këshillin është veçanërisht zhgënjyes, duke pasur parasysh se përbërja e re e KPK-së kishte për qëllim të shënonte një hap kyç në procesin aktual të reformës në sistemin prokurorial. Sipas BE-së, megjithëse reforma synonte forcimin e udhëheqjes dhe përputhjen e sistemit prokurorial me parimet e sundimit të ligjit, Këshilli u pengua të marrë mandatin e tij dhe të fillojë punën siç ishte paraparë.

Aty thuhet se si pasojë, legjitimiteti i Këshillit është dobësuar, ndërsa kjo minon edhe angazhimin e BE-së të bazuar në partneritet me një institucion, kredibiliteti dhe përkushtimi i të cilit ndaj udhëheqjes së ligjshme, transparente dhe të drejtë janë vënë në pikëpyetje.

Më tej, në letër thuhet se BE-ja ka mbështetur vazhdimisht reformën e KPK-së, me qëllim të reduktimit të korporatizmit dhe forcimit të përputhshmërisë së sistemit prokurorial me parimet e sundimit të ligjit. Po ashtu, theksohet se është pritur që reforma të zbatohej në mirëbesim, me një përkushtim të sinqertë ndaj zhvillimit institucional.

Ndërkaq, në këtë kontekst, Zyra e BE-së rikujtoi se ka shprehur më herët dhe në mënyrë të përsëritur shqetësime serioze lidhur me vendime që kanë qenë proceduralisht të parregullta dhe madje të paligjshme, duke minuar zbatimin e reformës. Në këtë kuptim, në letër thuhej se është për të ardhur keq që një qasje e diskutueshme ndaj udhëheqjes demokratike të Këshillit, nën kryesimin e Qalajt, tani e ka penguar atë të marrë mandatin e tij.

Ndryshe, përmes një reagimi të publikuar më 21 janar 2026, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me veprimet e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, të cilat sipas tyre po pengojnë drejtpërdrejt zbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Sipas IKD-së, Qalaj po vazhdon me mendësinë e vjetër të qeverisjes me Këshillin Prokurorial, duke shfrytëzuar interpretime të pabazuara ligjore të Zyrës Ligjore të Sekretariatit të KPK-së për të zvarritur funksionalizimin e Këshillit dhe po synon ruajtjen e një mendësie korporatiste brenda sistemit prokurorial.