Pas katër vitesh, Mali i Zi dërgon ambasador në Kosovë
Në seancën e 12 shkurtit, Komisioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Parlamentit të Malit të Zi ka përkrahur propozimin e Qeverisë për emërimin e Bernard Çobajt për ambasador në Kosovë. Veç tij, edhe Nebojsha Gjokoviq është emëruar për ambasador në Serbi, raporton REL. Kjo do të plotësojë pozitat ambasadore në Prishtinë dhe Beograd dhe pas katër vitesh.…
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2025/02/asbv.png)
Lajme
Në seancën e 12 shkurtit, Komisioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Parlamentit të Malit të Zi ka përkrahur propozimin e Qeverisë për emërimin e Bernard Çobajt për ambasador në Kosovë.
Veç tij, edhe Nebojsha Gjokoviq është emëruar për ambasador në Serbi, raporton REL.
Në vitin 2020, ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, i skadoi mandati për shkak se e kishte mbërritur moshën e pensionimit.
Po në atë vit, edhe ambasadori në Beograd, Tarzan Millosheviq, u shkarkua pas ndryshimit të qeverisë në Mal të Zi.
Ai ishte anëtar i Partisë Demokratike të Socialistëve në atë kohë në pushtet të ish-presidentit Millo Gjukanoviq.
Për dallim nga Gjokoviq, i cili u votua në mënyrë unanime, Çobaj nuk u votua nga deputetët e partive pro-serbe që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Ambasadori i ardhshëm i Malit të Zi në Kosovë deri vonë ishte i ngarkuar me punë në ambasadën në Prishtinë.
“Ambasada e Malit të Zi njihet si një nga ambasadat më të dukshme në Kosovë. Këtë ia detyrojmë më së shumti diplomacisë kulturore”, tha Çobaj.
Ai i cilësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si marrëdhënie të mira fqinjësore të orientuara drejt një të ardhmeje evropiane.
Para se të hynte në diplomacinë malazeze, Çobaj punoi për vite me radhë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë.
Ai nuk është anëtar i asnjë partie.
Procedura e përzgjedhjes së ambasadorit
Ligji për Punë të Jashtme parasheh që propozimin për emërimin e ambasadorit e bën Qeveria, me propozim të shefit të diplomacisë malazeze.
Pas arritjes së marrëveshjes së shtetit pritës dhe mendimit të Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Parlamentit të Malit të Zi, Presidenti i Shtetit emëron ambasadorin me dekret.
Në rastin e Gjokoviqit dhe Çobajt, mbetet vetëm që presidenti malazez, Jakov Millatoviq, të nxjerrë dekret për emërimin e tyre.